Shefki Mexhuani: ‘Batalioni Atlantiku’, një arritje e madhe e diasporës shqiptare

09 prill 2019 | 07:25

Ish-drejtori ekzekutiv i ‘Fondit Vendlindja Thërret’ për ShBA dhe Kanada, njëherësh iniciator dhe themelues i ‘Batalionit Atlantiku’, Shefki Mexhuani, në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ka folur për veprimtarinë e këtij fondi, për rëndësinë e formacionit ushtarak ‘Batalioni Atlantiku’, për rekrutimin e vullnetarëve për t’u bërë pjesë e radhëve të UÇK-së si dhe për nisjen e tyre në Kosovë.

Ai ka vlerësuar se ‘Batalioni Atlantiku’ është një prej arritjeve më të mëdha të shqiptarëve në diasporë.

Shefki Mexhuani ka theksuar se 11 prilli i vitit 1999 është datë e rëndësishme e historisë së diasporës shqiptare, datë e krenarisë dhe atdhedashurisë.

“Epoka e re:  Z. Mexhuani, meqë keni qenë drejtor i ‘Fondit Vendlindja Thërret’ për ShBA dhe Kanada, si dhe themelues i ‘Batalionit Atlantiku’, mund të na tregoni si arritët ta krijoni këtë formacion ushtarak dhe cili ishte rëndësia e tij për Kosovën?

Mexhuani: Veprimtarët e ‘Fondit Vendlindja Thërret’ ua mundësuan bashkatdhetarëve në ShBA e Kanada që përmes këtij fondi të kontribuojnë me mjete materiale për UÇK-në. Në këtë fond u grumbullua një shumë e caktuar e parave, veshmbathje, si dhe pajisje të tjera për luftëtarët të cilat u dorëzuan në sektorin e logjistikës së UÇK-së. Përpos kontributit financiar, veprimtarët e fondit ua mundësuan bashkatdhetarëve edhe kyçjen në luftë, duke themeluar dhe organizuar një formacion ushtarak që më vonë do të quhej ‘Batalioni i Atlantikut’. Për të themeluar dhe organizuar një formacion të tillë ushtarak, aq më tepër në një shtet tjetër dhe aq më shumë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, normalisht se nuk ishte e lehtë. Pa dyshim se kërkohej mjaft angazhim dhe sakrificë. Themeluesit e këtij organizimi ishin Hysni Syla dhe unë. Organizimin kryesor e pata marrë përsipër së bashku me bashkëpunëtorët Naim Qela, Dervish Ukëhagja dhe Veton Grajqevci. Tërë ky aktivitet ishte në koordinim të plotë me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Organizimi i këtij formacioni ushtarak erdhi pas konsultave me Hysni Sylen, ku duke përcjell me vëmendje situatën e rëndë nëpër të cilën kalonte Kosova, pra duke pasur parasysh dëbimet, vrasjet e masakrimet, i propozova z. Syla për fillimin e procedurave për formimin e formacionit ushtarak vullnetar për t’i dalë në ndihmë atdheut. Propozimi im u mirëprit nga z. Syla, mirëpo u kërkua realizimi sa më i shpejtë sepse kjo çështje kërkonte mund dhe punë të shtuar. Kështu që, të dy u pajtuam për të mundësuar një realizim të tillë. Nga gjysma e tetorit të vitit 1998 filluam rekrutimet, përpilimet e listave, paraqitjet e vullnetarëve e deri te regjistrimet. Në krye të organizmit mbeta unë pasi që z. Syla mori përgjegjësinë të qëndrojë në Shqipëri, ku prej aty të futet me armatim në Kosovë, pasi që ishte njohës i mirë i terrenit dhe ndihmonte në furnizimet me armatim për UÇK-në.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, njëherësh figurë e…