Shoqëria civile: Deputetët ta votojnë Ligjin për OJQ-të

10 prill 2019 | 12:07

Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe 284 organizata joqeveritare pjesë të nismës për Ligjin për OJQ, iu kanë bërë thirrje deputetëve që të enjten ta votojnë këtë ligj sipas kërkesave të tyre.

Përmes një komunikate për medie, OJQ-të, kanë vlerësuar se Ligji për OJQ i miratuar nga Kuvendi më 7 nëntor 2018 shkel parimin bazë jo-për-përfitim dhe rrezikon të ardhmen e sektorit.  “Rreth 300 organizata të shoqërisë civile janë bashkuar për të parandaluar rrezikun që i kanoset sektorit të shoqërisë civile dhe demokracisë kosovare nga ky ligj. Të gjitha grupet parlamentare, por edhe deputetët individualisht, tashmë janë të njoftuar në detaje lidhur me problemet e këtij ligji të paprecedentë në Evropë dhe më gjerë, dhe me pasojat që mund të shkaktohen nëse nuk kthehen dispozitat e drejta”, është thënë në komunikatën për media.

Javën e kaluar, edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, u bëri thirrje të gjitha partive politike që ta votojnë Ligjin për OJQ sipas amandamenteve të propozuara nga presidenti, duke theksuar që kjo çështje nuk ka të bëjë aspak me politikë, por me sigurimin e transparencës dhe parandalimin e keqpërdorimit të fondeve të donatorëve.

Thirrje të ngjashme në vazhdimësi kanë bërë edhe ambasadorët e vendeve të tjera të Quintit dhe BE-së, si dhe organizatat tjera ndërkombëtare.

Në rast që nuk votohen kërkesat e shoqërisë civile, ky ligj do të mundësojë që qindra miliona euro të pasurisë së përbashkët të OJQ-ve t’u falen bizneseve private.
Gjithashtu, ligji do të mundësojë mbylljen arbitrare të OJQ-ve nga shteti, në kundërshtim me lirinë e asocimit të sanksionuar në Kushtetutë.

Organizatat e shoqërisë civile presin nga partitë politike që t’u përmbahen përkushtimeve të tyre publike dhe të parandalojnë këto pasoja, duke marrë pjesë në votimin e të enjtes dhe duke votuar PËR kërkesat e shoqërisë civile.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Python birmanez është një nga gjarpërinjtë më të mëdhenj në…