Deputetët të shqetësuar me largimin e qytetarëve nga Kosova

11 prill 2019 | 12:10

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke debatuar në lidhje me largimin e qytetarëve nga Kosova.

Në këtë seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga LDK-ja, përfaqësuesit e grupeve parlamentare, kanë shprehur qëndrimet e tyre në lidhje me këtë fenomen.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se largimi i qytetarëve nga Kosova nuk është fenomen i ri. Ai ka thënë se kriza më e madhe e largimeve ka qenë në vitin 2015.

“Kjo është seanca e 13-të e jashtëzakonshme për tre muaj që është mbajtur, nëse këtë ia themi dikujt i bie se ne jemi në gjendje të luftës apo konflikti. Unë besoj që nga këto 13 seanca disa kanë qenë të qëlluara por nuk besoj që ky është precedent më i mirë. Fenomeni i ikjeve është shqetësues për shumicën prej nesh dhe nuk është fenomen i ri, apo i viteve të fundit. Kriza më e madhe ka qenë në fillim të vitit 2015 ku me dhjetëra mijëra kanë ikur nga vendi”, ka thënë ai.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Fidan Rekaliu, ka thënë se largimi i qytetarëve është gjëja më e keqe që po i ndodh shtetit të Kosovës.

“Gjendja e krijuar nga aferat e skandalet e punësimeve familjare e partiake është një faktor shtesë që vret motivin për të qëndruar në Kosovë. Kosovën po e braktisin edhe të rinj të shkolluar e të profesionalizuar të cilëve shteti nuk ja dha mundësinë për ta provuar vetën. Ata po ikin pasi nuk ka arsim cilësor, as shëndetësi, e as perspektivë për fëmijët e tyre”, ka thënë Rekaliu.

Në anën tjetër, deputeti i Vetëvendosjes, Arbër Rexha, ka bërë thirrje që qytetarët t’i japin votën subjektit të tij.

Sipas tij, vetëm Vetëvendosja ka mbetur pa u provuar në pushtet dhe se partitë tjera ia vodhën asaj fitoren.

“Vetëm ajo mbeti pa u provuar. Na e vodhët fitoren duke u bërë bashkë të zi me të zi, dhe asnjë qeveri nuk e ka pasur qëllim të bëj hapjen e vendeve të reja të punës. Është momenti i duhur ta bëjmë kthesën historike dhe politike. Lejoni ata që vërtet e duan këtë vend”, ka thënë Rexha.

Më tutje, qëndrimet e grupeve parlamentare lidhur me largimin e qytetarëve nga Kosova, i kanë shprehur edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, dhe shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësues të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë kanë pritur një…