Agjentja ruse dënohet me 18 muaj burgim në ShBA

26 prill 2019 | 18:35

Një gjykatëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) ka dënuar Maria Butinën me 18 muaj burgim, pasi ajo ka pranuar fajësinë për të vepruarit si agjente e paregjistruar për Qeverinë ruse.

Vendimi, i marrë të premten nga gjykatësja Tanya Chutkan në Gjykatën e Qarkut në Uashington, përkon me masën që kërkuan prokurorët.

Chutkan po ashtu ka urdhëruar që Butina të dëbohet në Rusi me të përfunduar dënimin me burgim, në mars të vitit 2020.

Në kohëzgjatje të dënimit i llogaritet koha që ka kaluar tashmë në paraburgim në ShBA.

Raportohet se para dënimit, Butina, 30 vjeçe, i ka thënë gjykatës se i vjen “thellësisht keq” dhe se ka kërkuar mëshirë.

Chutkan i ka refuzuar argumentet e avokatëve mbrojtës se Butina ishte e etur për të ndërtuar lidhje me aktivistët politikë në ShBA, veçanërisht ata konservatorë.

Prokurorët kanë thënë se para dhe gjatë studimeve në Universitetin Amerikan në Uashington, Butina ka bërë përpjekje të krijojë lidhje me grupe konservatore në ShBA, në emër të së paku një ligjvënësi të fuqishëm të lidhur me Kremlinin.

Butina e ka pranuar fajësinë në dhjetor dhe ka pranuar të bashkëpunonte me hetuesit.

Ajo është mbajtur në paraburgim që nga arrestimi i saj në korrik të vitit të kaluar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri, shpreson ta ketë Antonio Rudigerin…