Në 20-vjetorin e rënies së Milazim Mavrajt kërkohet të mos ndahen dëshmorët

28 prill 2019 | 15:26

Në qendër të Komunës së Burimit, pranë bustit të dëshmorit të kombit, Milazim (Sadri) Mavraj, i njohur me nofkën “Çeçeni”, i cili ka rënë heroikisht në rrasë të Koshares para 20 vitesh, të dielën është mbajtur një akademi përkujtimore, në të cilën kanë qenë të pranishëm përfaqësues të institucioneve të vendit, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, qytetarë dhe familjarë të dëshmorit Milazim Mavraj.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Rrustem Berisha, dhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, kanë bërë thirrje që mos të ndahen dhe selektohen dëshmorët se në cilën brigadë apo zonë kanë luftuar.

Ministri Berisha në emër të kryeministrit Ramush Haradinaj ka përshëndetur të pranishmit në këtë akademi përkujtimore, ku më pas ka folur për veprimtarin e dëshmorit Milazim Mavrajt.

“Më lejoni që në emër të kryeministrit Haradinaj t’ju përshëndesë dhe t’ju përgëzojë për organizimin e këtij manifestimi kushtuar heroit Milazim Mavraj – ‘Çeçeni’ dhe të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në betejën e Koshares. Është hera e parë që u drejtohem si ministër i Mbrojtjes, pasi ka kaluar një kohë e gjatë që shteti i Kosovës nuk ka pasur ushtrinë e vet, por që nga 21 janari i këtij vit Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës është shndërruar në Ministri të Mbrojtës dhe që tani e ka mandatin e ri ushtarak. Kur jemi te heroi që e përkujtojmë sot, Milazimi, ai ishte pjesë e Koshares, përkatësisht Brigadës 138 ‘Agim Ramadani’. Brigadës që me luftë e hoqi kufirin shqiptaro-shqiptar, brigadë e cila ka disa të veçanta që në vazhdimësi do t’i kujtojmë. E veçanta e kësaj brigade ishte që në strukturën e saj kanë qenë djem dhe vajza nga të gjitha pjesët e Kosovës dhe jashtë saj, gjithashtu edhe nga diaspora”, ka thënë Berisha, duke shtuar se Kosharja është identifikuar si simbol i bashkimit.

Ai ka apeluar që mos të këtë debate përçarëse sa i përket pjesëmarrjes së ushtarëve të UÇK-së nëpër brigada të ndryshme.

“Pavarësisht debateve që po mundohen t’i japin kahe, nuk kemi ndonjë peshore që t’ua masim kontributin asnjërit prej pjesëmarrësve, pra është mirë që secili ta ketë nivelin e vet dhe askush mos të mundohet ta zbeh betejën e Koshares. Po mos të ishim të bashkuar, as Kosharja nuk do ta kishte suksesin që pati. Nëse të tjerët e pranojnë suksesin e Milazimit dhe shumë dëshmorëve të tjerë, atëherë cila është arsyeja që ne të përçahemi”, ka deklaruar Berisha.

Sipas tij, beteja e Koshares ishte një ndër faktorët e nënshkrimit të kapitullimit të Sllobodan Milloshoviqit.

“Pavarësisht politikës ditore duhet të jemi bashkë dhe të mos lejojmë që dikush t’i japë kahe ndryshe betejës së Koshares. Një element tjetër që dëshirojë ta theksoj dhe që në të ardhmen edhe historia do të japë kontribut në shënimin e së vërtetës, një nga faktorët që detyrojë Milloshoviqin ta nënshkruajë kapitullimin ishte edhe beteja e Koshares. Të jeni të bindur për këtë. Ende nuk është diskutuar për këtë, por në të ardhmen edhe ky element do të dalë. Secili luftëtar është histori në vete dhe le të flet për ndodhitë që vet i ka përjetuar dhe nuk ka nevojë të flet për çështjet që nuk ka marrë pjesë. Ju ftojë të jemi bashkuar dhe ta realizojmë amanetin e heroit tanë. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së heroit tonë Milazim Mavraj – Çeçeni dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për këtë vend”, ka thënë ministri Berisha, raporton “Epoka e re”.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka bërë thirrje që mos të këtë ndarje të dëshmorëve.

Ai ka thënë se dëshmorët nuk u përkasin partive politike.

“Mua nuk ma lejon as detyra dhe as përfaqësimi që t’i ndajë dhe t’i pjesëtojë dëshmorët. E them këtë për faktin se sot po shoh shumë familjarë të dëshmorëve që kanë rënë në Koshare dhe që janë të komunave të ndryshme të Kosovës. Më mirë se unë dhe secili nga ne flasin vetë dëshmorët që kanë marrë pjesë në luftën e Koshares. Këtë muaj kemi shumë manifestime të rënies së dëshmorëve. Të gjithë dëshmorët para nesh dhe kujtesës historike janë të barabartë. Kosharja sa është e Agimit, Abazit, është edhe e dëshmorëve tjerë që kanë rënë nga hapësirat e gjeografisë shqiptare. Ne duhet të ecim në rrugën që na kanë lënë dëshmorët dhe nuk duhet të merremi me vetveten. Mos të themi se ata që kanë luftuar në këtë krahinë janë dëshmor të kësaj krahine”, ka thënë Xhavit Jashari.

Ai ka kërkuar nga institucionet e vendit që të përkujdesën për dëshmorët dhe familjet e tyre.

“Ata kanë rënë që ne sot lirshëm të punojmë për rrugën e tyre. U bëjmë thirrje institucioneve që dëshmorët t’i përkujton me punë konkrete, duke u ndritur lapidar dhe historinë ta shkruajnë historinë reale”, ka thënë Jashari.

(Albulena S. MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti në një intervistë për…