PSD-ja: 1 Maji e gjen Kosovën me shkallën më të ulët të punësimit në Evropë

01 maj 2019 | 11:53

Partia Socialdemokrate (PSD) ka theksuar se 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës e gjen Kosovën me shkallën më të ulët të punësimit në Evropë, ndërsa punëtorët në ambiente pune ku dominon logjika shfrytëzuese e mënyra shtypëse.

Përmes një komunikate për medie, PSD-ja ka deklaruar se 1 Maji është dita që e aktualizon sakrificën e të gjithë punëtorëve për drejtësi dhe barazi, është dita që na tregon se arritjet e deritanishme nuk janë rezultat i zemërgjerësisë të kapitalit, por i përpjekjeve dhe organizimit.

“Pabarazia e madhe në të ardhura që karakterizon shoqërinë tonë është tregues i padrejtësisë shoqërore dhe ekonomike. Kjo ilustrohet mirë me pagën minimale të ulët në nivel vendi. Mungesa e sigurisë dhe shëndetin në vendin e punës mbetet një prej problemeve kryesore që manifestohet me numrin e madh të vdekjeve në ambientin e punës si dhe me aksidente të rënda për shëndetin e njeriut”, është thënë në komunikatën e PSD-së.

Më tutje, PSD-ja ka theksuar se një nga çështjet më brengosëse është përqindja e lartë e fëmijëve të angazhuar në punë, në veçanti tek komunitet rom dhe ashkali.

“Vazhdimi i kësaj situate e riprodhon ciklin e varfërisë nga i cili më së shumti pësojnë fëmijët. Joformaliteti që manifestohet si pasiguri ekonomike dhe i lë punëtorët në ankth për mbijetesë, pagat e ulëta që i mbajnë të varfër, mohimi i të drejtës për pushim, shkëputja e kontratave paparalajmërim, janë vetëm një pjesë e shkeljeve të të drejtave me të cilat përballen punëtorët çdo ditë në Kosovë”, është thënë në këtë komunikatë.

Partia e drejtuar nga Shpend Ahmeti, ka thënë se roli i sindikatave në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve është i pazëvendësueshëm.

“Ato janë faktori kryesor për të garantuar implementimin e mekanizmave që e luftojnë varfërinë, padrejtësinë shoqërore dhe pasigurinë ekonomike. Sindikatat duhet të organizohet mbi parimin e demokracisë pjesëmarrëse dhe të inkurajojnë përfshirjen aktive të të gjithë punëtoreve e punëtorëve që ata përfaqësojnë. Përkundër prioritetit që kanë lëndët e punës punëtorët presin me vite për marrjen e vendimit përfundimtar si rezultat i vonesave të gjykatave në zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të tyre. Sistemi gjyqësor duhet të krijoj mekanizma për përshpejtimin dhe prioritizimin e lëndëve të punës për t’iu mundësuar punëtorëve realizimin e të drejtave të tyre”, është thënë në komunikatën e PSD-së.

Sipas PSD-së, Inspektorati i Punës, i cili mbetet një prej mekanizmave më të rëndësishëm për parandalimin dhe ndëshkimin e padrejtësive që ndodhin në vendin e punës, duhet t’i rritet buxheti, e bashkë me të edhe numri i inspektorëve.

“Sot, sistemi shfrytëzues ka tejkaluar kufijtë shtetëror. Ai shfrytëzon zhvillimin e pabarabartë midis pjesëve të ndryshme të globit; tek zhvillimi i pabarabartë dhe marrëdhënia qendër-periferi gjenden shkaqet kryesore për emigracionin legal e ilegal të punëtorëve kosovarë. Ky fenomen po krijon depresion në Kosovë e ksenofobi në vendin ‘pranues’. Neoliberalizmi shfrytëzon kulturat, religjonet bashkë me të gjitha identitetet e tjera partikulare për të përçarë e nënshtruar punën. 1 Maji është veçanërisht i rëndësishëm në këtë drejtim; për ekuivalencën përbashkuese që ai mbartë. 1 Maji është thirrje për traditën internacionaliste të lëvizjes punëtore. Përgjigja kundër shfrytëzimit e shtypjes do të jetë domosdo internacionaliste. Solidaritet!”, është thënë në fund të komunikatës së PSD-së.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtuesi i rrjetit social “Facebook”, Marc Zuckerberg ka zbuluar një…