LV-ja: Korrupsioni në prokurim e tenderë, burim pasurimi për qeveritarët

03 maj 2019 | 17:50

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka thënë se korrupsioni në vend është bërë barrierë për proceset integruese të vendit, liberalizimin e vizave dhe rritjen ekonomike.

Në një konferencë për medie, Bislimi ka deklaruar se zyrtarët qeveritar po pasurohen përmes metodave korruptive. “Tani kemi pasurim të shpejtë përmes metodave korruptive si stërngarkimi i administratës publike me punësime familjare, falje e borxheve, rritje arbitrare e pagave, ndryshime të ligjeve për të privilegjuar klientelën politike dhe shumë e shumë të tjera”, ka deklaruar Bislimi.

Sipas tij, kjo Qeveri tenton që korrupsionin ta trajtojë si kulturë dhe rezistencën qytetare ndaj tij si të pashpresë, duke theksuar se Lëvizja e ka për mision të bindë se, “luftimi i korrupsionit është i mundur dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër”.

Në këtë konferencë, ka folur edhe eksperti Jeton Zulfaj, i cili ka treguar me statistika gjendjen e krijuar nga korrupsioni në prokurim publik.

Sipas tij, kjo është mundësuar për shkak të numrit të madh të autoriteteve kontraktuese, planifikimit të dobët të nevojave buxhetore, menaxhimit të dobët të kontratave dhe mungesës së transparencës.

“Numri më i madh i ankesave dorëzuar për parregullsi në procedura prokurimi është pikërisht për Ministrinë e Infrastrukturës, 70 sosh. Kjo ministri prin me numrin e kontratave të lidhura fshehurazi, që ndryshe njihet si procedure e negociuar, pa publikim të kontratës. Ka dhjetëra aneks-kontrata për punë të papërfunduara në kohë apo për shpenzime shtesë që shkojnë deri në 100 milion euro dhe ka kompani të cilat janë të lidhura me pushtetin të cilat po bën monopole në fushën ku operojnë”, ka thënë Zulfaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump paraqiti zyrtarisht emërimin e Kelly…