Kurti: Injorimi i institucioneve për të zbardhur të vërtetën e vrasjes së Aganit, i pafalshëm

06 maj 2019 | 10:56

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka përkujtuar profesor Fehmi Aganin në 20-vjetorin e vrasjes së tij nga forcat serbe.

Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se injorimi i institucioneve të Kosovës për të zbardhur të vërtetën dhe për të sjellë drejtësinë për të, është i pafalshëm.

Postimi i plotë i Kurtit:

Në 20 vjetorin e vrasjes mizore të Prof. Fehmi Aganit

Akademik Fehmi Agani ishte intelektual delikat dhe profesor i afërt, dashamirës i dijes, mësimit dhe studimit, njeri paqësor e përparimtar. Formimi i tij ishte kryesisht humanist e social.

Angazhimin e vet politik e shihte më shumë të imponuar nga koha dhe rrethanat sesa pasion karakteri apo prirje profesioni.

Vrasja e tij ishte ekzekutim kriminal i Serbisë dhe humbje e madhe për Kosovën. Injorimi i institucioneve të Kosovës për të zbardhur të vërtetën dhe për të sjellë drejtësinë për të, është i pafalshëm.

Kam marrë pjesë në një takim me prof. Aganin në verën e vitit 1997 kur ai ishte nënkryetar i LDK-së e unë përfaqësues studentor në përgatitje të protestave paqësore.

Po ashtu, kemi qenë bashkë në takim me ish-ministrin e jashtëm gjerman Klaus Kinkel si dhe njëherë kemi udhëtuar bashkë teksa ktheheshim në Prishtinë pas vizitës në ambasadën e Britanisë së Madhe në Beograd ku ishim takuar me z. Tony Lloyd, ministër i Shtetit në Foreign and Commonwealth Office (FCO).

Prof. Agani argumentonte drejt dhe përshkruante saktë gjendjen e rëndë të popullit shqiptar në Kosovën e okupuar. Me durimin që ishte vëmendje dhe me qetësinë që ishte urtësi arsyetonte bindshëm.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tregjet e aksioneve në Kinë kanë shënuar rënie të hënën,…