Shala masa të reja në përkrahje të prodhuesve vendor, ndalon eksportin e lëndës së parë drunore

07 maj 2019 | 12:58

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala në vazhdën e mbrojtjes së prodhuesve vendor, ka propozuar ndalimin e eksportit të masës drunore, për shkak se është duke dëmtuar rëndë sektori i përpunimit të drurit në vendin tonë, gjithashtu lejimi i këtij aktiviteti po i rritë prerjet ilegale të pyjeve.

Shala ka propozuar këtë masë ndalimi para kabinetit qeveritar duke dhënë arsyetimin.

“Në emër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si bartëse e këtij propozim vendimi për ndalimin përkohësisht të eksportit të masës drunore si lëndë e papërpunuar nga Kosova në drejtim të vendeve tjera, për arsye të dëmtimit në sektorin e përpunimit të drurit në vendin tonë, shkurtimisht të paraqes bazën ligjore dhe rëndësinë e këtij propozim vendimi. Masa për ndalimin përkohësisht të eksportit të masës drunore është bërë për arsye se lejimi i vazhdueshëm i eksportit të masës drunore për eksport në vendet tjera si lëndë e papërpunuar (trupa), në një kohë kur të gjitha vendet përreth e kanë ndërprerë eksportin nga vendet e tyre, është duke dëmtuar rëndë sektorin e përpunimit të drurit në vendin tonë. Gjithashtu lejimi i këtij aktiviteti po i rritë prerjet ilegale në Kosovë qoftë për masë drunore teknike edhe për masën drunore dru zjarri”, ka thënë Shala në mbledhjen e Qeverisë.

Sipas tij, kapacitetet vjetore të shfrytëzimit të drurit nuk i përmbushin nevojat vendit tonë, prandaj lejimi i eksportit e rrezikon fondin pyjore si dhe paraqet probleme të menaxhimit të qëndrueshëm të Pyjeve në Kosovë.

“Prandaj, propozimi për pezullimin e përkohshëm të eksportit të masës drunore e parandalon prerjen ilegale të pyjeve duke pasur parasysh kapacitetet e Komunave për mbrojtje të pyjeve si dhe e ruan fondin pyjor në Kosovë dhe i mundëson për përpunueseve të drurit furnizim më të qëndrueshëm me lëndë të parë. Ky propozim vendim është hartuar në përputhje me procedurat e parapara me Rregulloren e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 09/2011 si dhe në konsultim dhe po ashtu edhe me rekomandim të Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, ka thënë  Shala.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim një delegacion…