Rexha, porosi ish-skuadrës: Pikët mbesin në Drenas

09 maj 2019 | 17:07

Kastriot Rexha ka paralajmëruar të mërkurën për “Epokën e re” se Feronikeli do të shënojë fitore në fundjavë në derbin ndaj Dritës.

Sulmuesi Kastriot Rexha i ka dërguar të mërkurën porosi ish-skuadrës së vet, Dritës nga Gjilani, se nga Drenasi do të rikthehet duarthatë. Feronikeli dhe Drita të shtunën nga ora 16:00 takohen në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në derbin e dytë të javës së 31-të në IPKO Superligën e Kosovës në futboll.

Sulmuesi shtatlartë për “Epokën e re” ka thënë se Drita, edhe përkundër asaj që është jashtë garës për titull, po e nderon kampionatin dhe se një gjë e tillë është e mirë për futbollin e Kosovës.

“Ndeshja me Dritën do të jetë e rëndësishme për ne, pasi jemi në garë të ngushtë me Prishtinën dhe Llapin për titull. Dihet se Drita nuk ka presion dhe ka skuadër të mirë, çka dëshmoi edhe në ndeshjen e kaluar kur e ndali Prishtinën, duke e nderuar kampionatin dhe e njëjta mund t’i ndodhë edhe Feronikelit, por kjo është në të mirë të futbollit të Kosovës. Ne jemi të përgatitur maksimalisht dhe objektivi i vetëm në këtë ndeshje është fitorja. Duhet të vazhdojmë me lojëra të mira edhe në këto ndeshjet e mbetura dhe ta arrijmë qëllimin e klubit”, ka thënë Rexha, i cili nuk ka dashur të tregojë se a do të festojë në rast se shënon ndaj Dritës. “Do të jetë lojë interesante për publikun dhe e veçantë për mua si futbollist, pasi në kampionatin e kaluar kemi arritur të shpallemi kampionë. Kam respekt për këtë skuadër, pasi kemi kaluar kohë të mira së bashku”, ka shtuar ai.

Ish-sulmuesi i shumë skuadrave në Kosovëka qenë shumë herë i dyti dhe i treti në listën e golashënuesve më të mirë, por asnjëherë nuk ka qenë i pari. Këtë çmim Rexha është afër ta fitojë në këtë kampionat, pasi ka tetë gola më shumë se përcjellësi i parë. “Jam aktualisht i pari në listën e golashënuesve dhe afër të shpallem më i miri, por ende nuk ka përfunduar asgjë dhe se në futboll gjithçka është e mundur. Shpeshherë në të kaluarën kam dal i dyti dhe i treti, kurse tash jam afër të dal i pari dhe normalisht, si çdo futbollist tjetër që dëshiron të ketë çmime të fituar, e dua edhe unë, gjithmonë duke pasur primar rezultatet e skuadrës”, ka deklaruar Rexha.

Kontrata e futbollistit Rexha me skuadrën e “Niklit” është deri në fund të kampionatit, sikurse që ishte edhe vitin e kaluar me Dritën. I pyetur se a rrezikon të mos paraqitet në garat evropiane sikurse në edicionin e kaluar, gjithmonë nëse shpallet kampion ose fitues i Kupës me Feronikelin, Rexha është përgjigjur: “Ne bëmë një rrugëtim të suksesshëm me Dritën, por më pas nuk gjetëm gjuhë të përbashkët për ta vazhduar bashkëpunimin. Kjo bëri që të mos luaj në garat ndërkombëtare. Fillimisht jam i përqendruar që ta arrijmë objektivin me klubin e më pas do të bisedojmë për të ardhmen. Shpresoj që këtë vit të luaj në Evropë”.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Whatsapp” është një nga aplikacionet e mesazheve më të përdorur…