Korrigjimi i kufijve, i dëmshëm

13 maj 2019 | 13:16

Instituti EPIK ka mbajtur sot nj tryezë me temën “Kuadri kushtetues i procesit të dialogut Kosovë-Serbi”, në të cilën njohësit e proceseve politike në vend kanë kërkuar unitet politik në këtë proces.

Pjesëmarrësit e kësaj tryeze kanë folur edhe idenë e korrigjimit të kufijve në këtë proces, të cilën e kanë vlerësuar si të dëmshëm.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se korrigjimi i kufijve nuk zgjidh asgjë, por vetëm komplikon marrëdhëniet mes popujve.  “Copëtimi, jo vetëm që nuk do të zgjidhte asgjë, por siç e tregon historia kjo komplikon më shumë marrëdhëniet në mes të popujve duke u dhënë marrëdhënieve të tilla dimensionin e problemeve afatgjate. Në vend të kësaj, duhet të promovohet dhe ofrohet një zgjidhje evropiane, që nuk bazohet në gjymtimin territorial por në sundim të ligjit, respektim të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve”, ka thënë ai.

Analisti politik, Belul Beqaj, ka thënë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të jetë e harmonizuar nga të gjithë faktorët politikë në vend. “Kemi çakordim të liderëve, presidenti që tenton ta imponojë vullnetin politik dhe kjo është një pengesë serioze politike. Sikur ideja për ndarjen të ishte e mbështetur nga sovrani dhe uniteti i faktorit ndërkombëtarë, qe aktualisht nuk ekziston, atëherë përfaqësuesit do të kishin bazë për të negociuar edhe territorin”, ka deklaruar Beqaj.

Ndërsa, kryetari i Bordit ekzekutiv të Institutit EPIK, Taulant Kryeziu, ka deklaruar se ideja për korrigjim e kufjeve në mes të dy vendeve është e papranueshme.
“Delegacioni shtetëror nuk do të jetë entiteti i vetëm në dialog, që vendimmarrja të jetë unanime nuk është arritur as kufizimi i mandatit kushtetuese në këto negociata. Vështirë me një shumicë të brishtë që nuk kalon 60 vota, me kaluar një marrëveshje”, ka thënë ai.

E, Jeta Krasniqi nga KDI-ja, ka kërkuar që procesi të jetë më transparent dhe rolin kyç ta këtë kuvendit i Kosovës.  “Ne vazhdimisht insistuam që Kuvendi të ketë rol më efektiv e qendror në këtë proces, sepse në fund të procesit do kishte marrëveshje përmbyllëse të vijë në Kuvendin e Kosovës dhe të ratifikohej me 2/3 të votave”, ka deklaruar ajo.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkolla private në Marigona Rezidencë, International School of Prishtina (ISP)…