Feronikeli kërkon edhe Kupën

24 maj 2019 | 11:29

KF Feronikeli po kërkon triumfin edhe në garën e Digitalb Kupës së Kosovës në futboll. Në anën tjetër Trepça ’89 do ta kërkojë mbijetesën nëpërmjet barazhit, por synim i saj është triumfi në garën e Kupës dhe dalja në garat ndërkombëtare. Ndeshja fillon në oren 20:45.

KF Feronikeli të dielën e kaluar e ka festuar titullin e kampionit në Superligë, pasi në ndeshjen fundit e mposhti Prishtinën (1-0). Tash skuadra nga Drenasi po synon që ta rrëmbejë edhe trofeun e dytë në këtë edicion garash, Kupën, dhe të mbyllë një edicion superior në futboll, e vendosur për t’i vazhduar më pas garat në arenën ndërkombëtare.

Një nga lojtarët më të mirë në skuadrën e Feronikelit, Albert Dabiqaj, ka folur për “Epokën e re” për ndeshjen finale të Kupës, e cila zhvillohet sonte (e premte) nga ora 24:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Dabiqaj e vlerëson maksimalisht 89-shin, por beson se Feronikeli do të dalë triumfues. “Normalisht se synimi ynë është që pas titullit ta fitojmë edhe Kupën, ani pse një gjë e tillë do të jetë shumë e vështirë për faktin se Trepça ’89 ka një skuadër shumë të mirë. Ajo ka pasur disa probleme në kampionat, por në Kupë është paraqitur mirë dhe për këtë fakt gjendet në finale. Megjithatë, ne do ta japim maksimumin që edhe Kupa të vijë në Drenas. Ndërsa për këtë ndeshje nuk kemi asnjë mungesë”, ka thënë Dabiqaj.

Për ndeshjen finale foli edhe futbollisti i Trepçës ’89, Hasan Hyseni. Ky i fundit ka thënë për gazetë se klubi nga Mitrovica po synon triumfin në finale dhe ta sigurojë daljen në Evropë. “Jemi përgatitur për këtë ndeshje. Synimi ynë është ta fitojmë Kupën, pasi kjo do të na mundësonte daljen në garat evropiane”, ka thënë Hyseni. Nëse skuadra e Trepçës ’89 e fiton Kupën do të dalë për herë të dytë në Evropë, pasi herën e parë mori pjesë në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve si skuadër kampione nga Kosova. Ndryshe skuadra e 89-shit drejt Prishtinës për ndeshjen finale do të vijë në mënyrë të organizuar. “Grumbullimi dhe nisja bëhet para ish-‘Hotel Adriatikut’ në orën 18:00. Përveç transportit, kemi në dispozicion edhe 300 bileta ku do të shpërndahen falas për të gjithë ata simpatizues të cilët duke hyrë në autobusë do të pajisen me bileta. Me përkrahjen e juaj do të festojmë së bashku për fitore”, thuhet në njoftimin e Trepçës ’89.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zoe Kravitz dhe Karl Glusman thuhet se janë martuar. 30-vjeçarja…