Thaçi i përgjigjet Mustafës: Këshillat e tua më bëjnë më të fortë në qëllimin tim final

26 maj 2019 | 15:45

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mirëpritur këshillat e liderit të LDK-së Isa Mustafa lidhur me debatin virtual në mes të tij dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.

Madje ai, ka thënë se këshillat e Mustafës dhe të tjerëve e bëjnë më të fortë në arritjen e qëllimit që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës.

“Ju z. Mustafa dhe shumë të tjerë mund të më këshilloni. Kjo më bën më të fortë në punën time drejt qëllimit final. Ndoshta ju mendoni se unë jam i vetëm sot në këtë mision, i cili për ju dhe disa të tjerë duket i pamundur. Por, mos të harrojmë se vetëm 20 vjet më parë edhe liria dhe pavarësia jonë janë dukur të pamundura. Në përpjekje për arritjen e këtij qëllimi, unë kërkoj miq dhe aleatë. Unë dua që ju z. Mustafa, të jeni në krah me mua”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Sipas tij, nëse BE-ja vazhdon t’i mbyllë dyert e saj për shqiptarët Kosova dhe Shqipëria do të bëjnë bashkim kombëtar.

Postimi i plotë i tij:

Kryetari i LDK-së, z. Isa Mustafa, nëpërmjet një postimi më paska dhënë disa këshilla. Duke e falënderuar atë për këtë përpjekje, ritheksoj se asnjë e keqe nuk i vjen vendit nga debati dhe paraqitja e pikëpamjeve të ndryshme për realizimin e qëllimit të përbashkët.

Korrigjimi i padrejtësive ndaj Luginës së Preshevës dhe shqiptarëve është përkushtimi im i pandalshëm. Lugina e Preshevës duhet të bashkohet me Kosovën, njësoj sikurse Kosova që duhet të bashkohet natyrshëm me Shqipërinë, nën ombrellën e përbashkët të BE-së ose edhe vetëm nën ombrellën shqiptare, nëse BE-ja vazhdon t’i mbyllë dyert e saj për ne.

Ju z. Mustafa dhe shumë të tjerë mund të më këshilloni. Kjo më bën më të fortë në punën time drejt qëllimit final. Ndoshta ju mendoni se unë jam i vetëm sot në këtë mision, i cili për ju dhe disa të tjerë duket i pamundur.

Por, mos të harrojmë se vetëm 20 vjet më parë edhe liria dhe pavarësia jonë janë dukur të pamundura. Në përpjekje për arritjen e këtij qëllimi, unë kërkoj miq dhe aleatë. Unë dua që ju z. Mustafa, të jeni në krah me mua.

Të tjerët që hezitojnë sot duhet ta mendojnë mirë këtë çështje, por mos të vonohen shumë. Nuk është mision i pamundur, përkundrazi. Bashkimi kombëtar është në mendjen dhe shpirtin e çdo shqiptari. Le ta bëjmë realitet bashkë!

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se dëshmorët,…