Shënohet Ditën Olimpike

27 maj 2019 | 15:32

25 komuna kanë shënuar të premten edicionin e tetë të Ditës Olimpike 2019, në të cilën morën pjesë rreth 15mijë fëmijë të lindur në vitin e Pavarësisë së Kosovës.

Fëmijët vrapuan në sheshet e komunave të Prishtinës, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës, Gjakovës,Vushtrrisë, Podujevës, Skenderajt, Suharekës, Drenasit, Vushtrrisë, Dragashit,Obiliqit, Kaçanikut, Deçanit, Fushë Kosovës, Rahovecit, Shtimes, Klinës, Vitisë, Istogut, Kamenicës, Junikut dhe Hani i Elezit, kurse Malisheva e organizoi në stadium. Aktiviteti kryesor u mbajt në Prishtinë, ku mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili pasi përshëndeti fëmijët vrapoi bashkë me ta, ndërsa ministri për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi, mori pjesë në hapjen e Ditës Olimpike në Ferizaj.

Pamje nga vrapimi i kryeministrit Haradinaj (FOTO: Shpend Ahmeti)

“Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të fillosh javën në mesin e fëmijëve. Sot, iu bashkova moshave të vogla në fillimin e maratonës në kuadër të Olimpiadës së Fëmijëve. Fëmijët tanë të shkëlqyeshëm janë shëmbëlltyra më kuptimplotë e të ardhmes sonë prosperuese. Detyrë e jona e përditshme është që të punojmë bashkërisht që t’iu sigurohen kushtet për t’i realizuar ëndrrat e tyre”, ka thënë kryeministri Haradinaj. Dita Olimpike u shënua në kuadër të përvjetorit të 27-të të themelimit (27 maj 1992) të Komitetit Olimpik të Kosovës. Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, përgëzoi fëmijët për pjesëmarrjen masive nga viti në vit. “Ju fëmijët e Prishtinës në vitin 2012 keni qenë katër vjeçar, kur filluat për herë të parë dhe sot janë rreth 15 mijë fëmijë të cilët kanë vrapuar në tërë Kosovën. Urime për të gjithë”, ka thënë Hasani. Drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj i cili përgëzoi Komitetin Olimpik për një organizim të tillë, iu drejtua fëmijëve me mesazhin për të qenë aktiv në sport.

Djemtë duke vrapuar në Prishtinë

Në emër të Komunës së Prishtinës, drejtori i Sportit, Fitim Rexha u iu drejtua fëmijëve: “Ju jeni rrita e Pavarësisë dhe me juve po rritet Pavarësia e Kosovës çdo vit”. I pranishëm ishte edhe koloneli i Ushtrisë së Kosovës, Afrim Veseli, i cili përcolli përshëndetjeje e komandantit Rrahman Rama dhe gjithë ushtarëve të Kosovës. Në kategorinë e meshkujve (Prishtinë) vendi i parë i takoi, Rin Ahmetit, i dyti Flamur Bulliqi,ndërsa i treti përfundoi Erion Beha, ndërsa tek femrat vendin e parë e zuri:Medina Fejza e ndjekur nga Erisa Avdullahu dhe Medina Bilalli. Të gjithë fëmijët në të gjitha komunat morën fanella, medalje për pjesëmarrje dhe për tri vendete para.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti së bashku me një…