Zyrtarja e lartë amerikane: Kosova të mbetet e përkushtuar në forcimin e sundimit të ligjit

28 maj 2019 | 16:54

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim ushtruesen e detyrës së drejtoreshës së Zyrës për Çështje të Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit Amerikan (DASh), Susan Falatko, e cila shoqërohej edhe nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

Thaçi dhe drejtoresha Falatko kanë biseduar për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.

“Kosova është e përkushtuar për forcimin e fqinjësisë së mirë. Dialogu duhet të vazhdojë pa kushte, me një mbështetje konsensuale të të gjitha shteteve të Kuintit”, është shprehur Thaçi, duke theksuar se roli i ShBA-së është i pazëvendësueshëm.

Po ashtu, presidenti Thaçi ka theksuar se lufta ndaj krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit është permanente dhe ajo do të vazhdojë.

“Institucionet vendore para një viti kanë marrë kompetencat në fushën e sundimit të ligjit dhe tani kemi një dinamikë të shtuar”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në anën tjetër, drejtoresha Susan Falatko ka theksuar rëndësinë që Kosova të mbetet e përkushtuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Ajo ka rikonfirmuar se ShBA-ja do të mbetet e përkushtuar në avancimin e interesave bilaterale dhe rajonale.

Me këtë rast, presidenti Thaçi e ka falënderuar drejtoreshën Falatko për mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja me origjinë shqiptare, Rita Ora është raportuar se po…