Elona Demi fiton në zgjedhjet lokale në Itali
Elona Demi është emigrantja shqiptare që ka dalë fituese në zgjedhjet vendore në Itali, të cilat u zhvilluan më 26 maj, njëkohësisht me zgjedhjet evropiane në rreth 3800 komuna italiane.
Kandidate në listën e qendrës së majtë italiane 38 vjeçarja shqiptare ka fituar postin e këshilltares në komunën Sorbola Mezzani në provincën e Parmës, ku kryetar bashkie sapo është zgjedhur Nicola Cesari me 69.36% të votave.
Shqiptarja Elona Demi jeton prej disa vitesh në këtë komunë.
E lindur në qytetin e Sarandës, ajo është diplomuar në Universitetin e Bolonjës për Juridik e në Universitetin e Parmës për gjuhë të huaja e punon si profesioniste e lirë në fushën e gjuhësisë e përkthimit.
“Jam krenare për origjinën time shqiptare, thotë ajo, bagazhi im kulturor, historik e moral është një vlerë e shtuar në punën time”, ka thënë Demi.
Ndërsa për fitoren e arritur ajo thotë “më kanë zgjedhur për aftësitë e mia e për vullnetin që kam për t’u vënë në dispozicion të komunitetit”
Shqiptarja Elona Demi do të jetë këshilltare bashkiake në komunën Sorbola Mezzani ku jetojnë 13 mijë banorë./oranews