Falimentimi i “INSIG”-ut ka shkaktuar dëme dhe paqartësi të mëdha
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), likudiatori dhe shoqata e sigurimeve heshtin përballë kësaj situate.
Asnjë kontratë e sigurimit me kompaninë tashmë të falimentuar INSIG më nuk është valide dhe të gjitha janë shuar që nga data 26 maj.
Kjo ka bërë që dhjetëra mijëra klientë që kanë qenë të siguruar në INSIG, të dëmtohen financiarisht në forma të ndryshme, dhe të mbesin të pasiguruar, ndonëse e kanë paguar atë.
Eksperti i sigurimeve, Besnik Nikçi, thotë se ligji për marrëdhënie detyrimore, në pikën e dytë të nenit 944, sqaron se në rastin e falimentimit të siguruesit, kontrata për sigurimin shuhet pasi të kenë kaluar 30 ditë nga data e hapjes së falimentimit. E në këtë rast, BQK ka hapur proceduat për likuidim të detyrueshëm të INSIG-ut me 26 prill.
Si rrjedhojë e kësaj, sipas Nikcit, dëmi tjetër është se policia mund të gjobis edhe për drejtim të makinës së pasiguruar.
Për të mos ndodhur kjo, Nikçi rekomandon që klientët e INSIGUT tashmë të falimentuar, që të bëjnë sigurim të ri tek kompanitë e tjera, ndërsa paratë për pjesën e pashfrytëzuar të sigurimit në INSIG pas 26 majit, ta kërkojnë të likuidatori.
“RTK”-ja ka kontaktuar likuidatorin e caktuar nga BQK Nezir Lokaj për të sqaruar shumë çështje lidhur me dëmet dhe likuidimin e INSIG-it, por i njëjti nuk ka pranuar të flas me arsyetimin se që dy ditë e ka marrë pozitën dhe se i duhet më shumë kohë.
“RTK”-ja ka pyetur dhe ka kërkuar sqarime edhe nga BQK-ja, por edhe pas një jave, nuk ka marrë përgjigje.
Po ashtu “RTK”-ja ka pyetur kryetarin e shoqatës së Kompanive të Sigurimeve, Sami Mazreku, lidhur me përgjegjësinë që kanë si shoqatë ndaj klientëve të kompanive që përfaqësojnë, por atij dhe zyrës ligjore të shoqatës, ju deshën rreth një javë që të përgjigjen, se INSIG më nuk është anëtare e tyre dhe se pyetjet duhet t’i bëhen BQK-së dhe likuidatorit.
Videon mund ta shikoni në këtë link:
https://www.facebook.com/110299813858/posts/10156988002403859?s=614749353&v=e&sfns=mo