Vendlindja nderon Prof. Dr. Eqrem Zenelajn

29 maj 2019 | 23:21

Therandë, 29 maj (ER) – Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Dëshmorët e Greikocit” nga fshati Greikoc i Therandës sot i ka bërë pritje madhështore Prof. dr. Eqrem M. Zenelajn, të cilit i ka dhënë mirënjohje me motivacion “për kontributin dhe mbështetjen e pakursyer për promovimin e vlerave kombëtare si profesor, shkencëtar, frymëzues dhe, mbi të gjitha, personalitet me virtyte të larta njerëzore”. “Ndihemi krenarë që ishit nxënës i shkollës sonë. Sukseset dhe të arriturat tuaja e ngrehin lart edhe shkollën tonë”, thuhet në mirënjohjen e ndarë nga drejtori i shkollës “Dëshmorët e Greikocit”, Prof. Naser Kurtishaj.

Profesor Zenelajt, i cili ka qenë i shoqëruar nga Prof. Dr. Selim Daci, Prof. dr. Muhamet Mala si dhe drejtori i gazetës “Epoka e re”, Sadik Zeqiri, u është bërë pritje madhështore në shkollën e fshatit Greikoc. Pritja u është organizuar nga mbi 400 nxënës sa ka kjo shkollë si dhe nga i gjithë stafi i mësimdhënësve të shkollës. Gjatë pritjes atyre u është shtruar edhe një drekë me ushqime tradicionale të cilën e kishin përgatitur mësueset e shkollës.

Për kontributin e profesor Zenelajt kanë folur Profesor dr. Daci dhe Profesor dr. Mala si dhe drejtori i shkollës, profesor Kurtishaj. Pas pranimit të mirënjohjes nga drejtori i shkollës si dhe disa dhuratave simbolike, edhe profesor Eqrem Zenelaj secilit prej mësimdhënësve të shkollës u ka dhënë disa prej librave të  vet që ka botuar ndër vite.

Profesor dr. Eqrem Zenelaj i premtoi drejtorit të shkollës “Dëshmorët e Greikocit” dhe mësuesve të kësaj shkolle, se me vetëkontribut do t’ua sigurojë një bibliotekë, po ashtu u zotua se në ditën e shkollës do të organizojë një ekspozitë me mbi 100 portrete dhe gravura të cilat i ka mbledhur në 20  arkive me të vjetra të Europes dhe Austrisë. Për nder të profesor Zenelajt shkolla ka organizuar një program kulturor-artistik, të cilin e ka udhëhequr mësuesja e muzikës, Ardhmërie Baraliu. Ndërkaq, një shënim për jetën e profesor Zenelajt dhe për krijimtarinë e tij shkencore e ka lexuar arsimtari Fikret Ramaj.

           

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reprezentuesi i Kosovës që është pjesë e skuadrës së Bundesligës…