Merkeli mohon se ka përplasje me pasardhësen e saj

30 maj 2019 | 01:54

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka hedhur poshtë raportimet se ajo beson që pasardhësja e saj si lidere e partisë, Unioni Demo-Kristian (CDU), Annegret Kramp-Karrenbauer nuk është e denjë për këtë pozitë.

Ky pretendim, që është cilësuar nga Merkeli si i palogjikshëm, është bërë nga dy zyrtarë të paidentifikuar, në një artikull në “Bloomberg” gjatë ditës së martë.

Kramp-Karrenbauer do të nisë së udhëhequri CDU-në, vitin e ardhshëm.

Ajo është kritikuar së fundmi për komentet që ka dhënë lidhur me rregullat e debatit dhe se si krijohet opinioni publik online.

Kjo deklaratë e saj ka ardhur pas një videoje të publikuar në “YouTube”, në të cilën Qeveria akuzohet për dështim të luftimit të ndryshimeve klimatike.

Si pasojë, shumë persona u kanë kërkuar votuesve gjermanë që të mos votojnë për partinë CDU dhe partnerët e koalicionit, Social-Demokratët.

Në një konferencë për media të hënën, Kramp-Karrenbauer, u ka thënë gazetarëve: “Çfarë do të ndodhte në këtë shtet, nëse, le të themi 70 gazeta do të vendosnin dy ditë para zgjedhjeve, të bënin një thirrje të përbashkët: Mos votoni për CDU-në dhe SPD-në?”.

Megjithatë, më vonë ajo ka thënë përmes një postimi në “Twitter” se ka qenë “absurde” kur është akuzuar se synon të rregullojë lirinë e shprehjes.

Merkeli po ashtu ka mbrojtur atë duke thënë: “Secili që unë e njoh në CDU është i përkushtuar për liri të mendimit, si rregull parësor”.

Pavarësisht rritjes së numrit të votuesve gjatë garës për Parlamentin Evropian të dielën, blloku konservator i Merkelit ka shënuar rezultatin më të keq prej Luftës së Dytë Botërore.

Partia e saj, Unioni Demo-Kristian dhe partia e saj simotër, SPD, kanë arritur të jenë të parat, me 28.9 për qind të votave mirëpo mbështetja për to ka rënë për 7 për qind, në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura katër vjet më parë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) nuk e…