Thaçi: Rasim Kiçina dhe Bedri Shala janë sinonim i luftëtarëve të lirisë

30 maj 2019 | 13:46

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në përurimin e shtatoreve të heronjve Rasim Kiçina dhe Bedri Shala në Drenas.

Me këtë rast ai ka thënë se këta dy heronj përfaqësojnë dy figura tipike të luftëtarëve që i krijoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Përfaqësojnë figurën e brezit të rinisë atdhetare brenda Kosovës që iu bashkua luftës çlirimtare me ndërgjegje të lartë dhe pa hezitim, nga njëra anë, dhe atë që nga bota e jashtme u kthye në atdhe drejt në frontet e luftës. Pra, të dy i bashkoi lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, është shprehur presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka theksuar se Bedri Shala e la mirëqenien në botën perëndimore dhe iu përgjigj thirrjes për të luftuar me pushkë në dorë.

“Luftoi për idealet me të cilat ishte rritur dhe edukuar në familjen e tij, që brez pas brezi ishin rreshtuar nga fati i kombit. Bedriu nuk kurseu asgjë në shërbim të luftës për liri. Ishte kudo. Sa ishte në front, sa në udhëtime rraskapitëse për furnizim me armatim, sa në stërvitje të ushtarëve të rinj, aq edhe në beteja. Bedriu ra në mbrojtje të Junikut më 10 gusht 1998, duke mbyllur kapitullin e jetës me nder dhe heroizëm”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa për Rasim Kiçinën, presidenti Thaçi ka theksuar se ishte njëri ndër pjesëtarët e njësiteve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe hyn në radhën e figurave më të shquara që dha historia e ndritur e luftës sonë për liri.

“Beteja te Lisat Gjashtënjak në Likoshan, betejat e Brigadës 111 “Adem Jashari” dhe shumë luftime tjera më 1998 dhe 1999 janë të lidhura ngushtë me shpirtin luftarak dhe guximin e Rasim Kiçinës. Rënia e tij 20 vjet më parë, ishte ndër humbjet më të mëdha të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ai ka theksuar se Rasimi dhe Bedriu ishin sinonim i luftëtarit të lirisë, prijësit dhe shpirtit sakrifikues.

“Pa luftën e drejtë të UÇK-së, pa sakrificën e mijëra dëshmorëve dhe martirëve, pa përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të shteteve të BE dhe NATO-s, Kosova nuk do të ishte ajo që është sot, shtet i lirë dhe sovran. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte projekti më serioz politik dhe ushtarak i kombit shqiptar”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka shtuar se për aq sa po kalon koha, aq më shumë po del në dritë madhështia dhe pastërtia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Luftën dhe sakrificën për liri nuk mund ta njollos askush”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se Kosova së shpejti do ta shënojë 20 vjetorin e çlirimit.

“Kosova po hyn në dekadën e dytë të lirisë, por ende plagët e luftës nuk janë shëruar. Shteti i Serbisë ushtroi gjenocid, spastrim etnik, vrasje dhe masakra anembanë Kosovës. Ende askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e krimeve mbi popullatën civile të Kosovës nuk doli para drejtësisë vendore ose ndërkombëtare. Por, krimi dhe gjenocidi nuk vjetrohen asnjëherë”, është shprehur presidenti.

Presidenti Thaçi ka theksuar se këto dy shtatore madhështore e pasurojnë edhe më shumë sheshin “Fehmi Lladrovci”.

/Epoka e re/

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri italian, Antonio Conte pritet që shumë shpejt të zyrtarizohet…