Papa Françesku, vizitë zyrtare në Rumani

31 maj 2019 | 11:47

Papa Françesku do të fillojë vizitën e tij treditore në Rumani, ndërsa vazhdon përpjekjet për të forcuar lidhjet midis të krishterëve ortodoksë dhe katolikëve në Evropën Lindore.

Udhëtimi i në Rumaninë me shumicë ortodokse, që fillon më 31 maj, pason vizitën e Papës në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut më parë gjatë këtij muaji.

Sipas statistikave të Qeverisë rumune, katolikët përbëjnë rreth 5 për qind të popullsisë prej 20 milionë banorësh.

Papa Gjon Pali II kishte udhëtuar në Rumani në vitin 1999, pjesë e një përpjekjeje të Vatikanit për të përmirësuar lidhjet me Kishën Ortodokse botërore.

Papa Françesku më 1 qershor do të vizitojë rajonin Szekelyfold, zonë kjo që është shtëpia e rreth 600 mijë hungarezëve etnikë dhe vizita e tij është mirëpritur nga shumë banorë si një njohje e identitetit të tyre të veçantë.

Papa ka thënë se shpreson që vizita e tij do të forcojë lidhjet ndërmjet komuniteteve ortodokse dhe katolike në Rumani.

“Unë do të shkoj në Rumani si një pelegrin, së bashku me vëllezërit tanë të Kishës Ortodokse Rumune dhe me besimtarët katolikë. Lutuni për mua”, ka shkruar Papa në llogarinë e vet në “Twitter”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim Imzot Dodë…