Vuçiqi: Kosova do të shkojë në drejtim të bashkimit me Shqipërinë

31 maj 2019 | 14:07

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq,ka thënë se është absolutisht i bindur se gjërat do të zhvillohen në drejtimin, që sipas tij e ka paralajmëruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kur ka folur për mundësinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

“Jam absolutisht i bindur se gjërat do të zhvillohen në këtë drejtim. Ne do të reagojmë në mënyrë serioze dhe të përgjegjshme, por të ashpër dhe të vendosur”, ka thënë Vuçiqi, transmetojnë mediet serbe.

Ditë më parë, presidenti i Kosovës, Thaçi, ka thënë se po krijohen rrethana të reja, të cilat sipas tij, e ofrojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë si zgjidhjen më të mirë.

Thaçi ka inkurajuar Kuvendin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë ta nxjerrin deklaratën e bashkimit.

Por, Vuçiqi ka thënë se komuniteti ndërkombëtar e ka siguruar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Para tri ditësh iu kam thënë përfaqësuesve evropianë për këtë që po më pyesni (bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë) dhe ata më kanë thënë: ‘Aleksandër, kjo nuk do të ndodhë. Ne nuk do ta lejojmë kurrë’”, ka thënë Vuçiqi, duke shtuar se pikërisht këto deklarata janë arsyeja përse ai beson se një gjë e tillë do të ndodhë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se heroi Xhemajl…