Mustafa: Nuk e përjashtojmë koalicionin parazgjedhor me Vetëvendosjen
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa vlerëson se “Qeveria Haradinaj”, e ka humbur moti legjitimitetin dhe se është duke u përballur me skandale të njëpasnjëshme dhe si e tillë duhet t’i ndërpritet mandati.
Ish-kryeministri Mustafa thotë se Kosova ka nevojë të bëjë ndryshime dhe që kjo qeveri të bie sa më shpejtë, pasi që nuk mund të qojë përpara asnjë proces, sic është dialogu, njohjet, liberalizimin e vizave dhe integrimin në BE.
Për këtë qëllim thotë se tashmë kanë vendosur që bashkë me Vetëvendosjen dhe PSD-në të ngritin mocion mosbesimi për Qeverinë.
I pari i LDK-së, thotë se janë të gatshëm për zgjedhje të reja dhe se tashmë kanë edhe platformën zgjedhore, e cila parasheh që kjo parti të shkojë e vetme në zgjedhje.
Por nuk përjashton një koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen, nëse partitë në pushtet synojnë të shkojnë prapë bashkë në zgjedhje.
E pranon se si e vetme nuk mund të arrijë synimet për të dërguar PDK-në në opozitë, me të cilën thotë se më nuk do të bashkëqeverisin asnjëherë.
“Kjo marrëveshje nuk do të thotë që ne të shkojmë vet. Ne duhet ta shohim si është situata. Nëse të tjerët bëhen bashkë, atëherë ne e dimë paraprakisht që nuk do të arrijmë ti mundim 2 apo 3 parti bashkë dhe në këtë aspekt ne do të vlerësojmë si LDK mënyrën e të shkuarit në koalicion. Me kë do të shkojmë në koalicion nuk e kemi vendos, nuk kemi ndonjë përkufizim të veçantë. Kemi një bindje të LDK-së dhe timen se nuk duhet të shkohet me PDK-në. Është një parti që objektivisht e ka kap shtetin, të gjitha institucionet e shtetit, ndërsa me të tjerët do të bëjmë përpjekje të gjejmë gjuhë”, thotë Mustafa për “EkonomiaOnline”.