Sekretari i NATO-s, opozitës në Shqipëri: Duhet dialog, jo dhunë!

02 qershor 2019 | 16:07

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka pritur në takim sekretarin e përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Tiranë.

Pas këtij takimi, Rama e Stoltenbergu kanë mbajtur një konferencë për medie. Në këtë konferencë, Stoltenbergu ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me situatën politike në Shqipërisë. Me këtë rast, sekretari i NATO-s, ka ftuar opozitën për dialog me pozitën për të shmangur dhunën.

“Mosmarrëveshjet politike janë pjesë e demokracisë. Ajo që nuk është e pranueshme është dhuna dhe çdo përpjekje për të minuar institucionet demokratike. Respektoni institucionet demokratike. Çdo mosmarrëveshje duhet zgjidhur përmes proceseve demokratike. Zgjedhjet janë një element thelbësor i proceseve demokratike në shtetet anëtare të NATO-s, prandaj u bëj thirrje të gjithë palëve të marrin pjesë në proces. Palët të zgjidhin problemet përmes dialogut. Kemi parë përpjekjet e Rusisë për t’u përfshirë në institucionet e vendeve demokratike, duke u përfshirë edhe në institucionet e NATO-s”, ka thënë Stoltenbergu.

Më tutje, Stoltenbergu ka ngushëlluar familjet e dy ushtarëve shqiptarë që kanë humbur jetën në Letoni, si pasojë e plagosjes nga minat. “Është kënaqësi e madhe që kthehem përsëri në Tiranë. Shqipëria ka qenë një anëtare shumë e vyer në NATO. Dua të shpreh mirënjohjen për dy ushtarakët trima që humbën jetën muajin që shkoi. Mendimet e mia dhe ngushëllimet më të thella shkojnë për familjet e tyre”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryeministri Edi Rama, nuk ka moshuar mundësinë e një përfshirje të Rusisë në atë se çfarë po ndodh në rajon dhe Shqipëri.

“Së pari nuk është sekret, që qasja e Rusisë ndaj NATO-s, ndaj BE-së, si dhe ndaj proceseve integruese nuk është një qasje miqësore. Së dyti, dua të nënvizoj se në asnjë vend të NATO-s nuk ka ndodhur çfarë po ndodh këtu dhe çka disa forca kryesore të opozitës paralajmërojnë dhe do të përpiqen që të ndodhë këtu. Do të ishte një njollë turpi për ne, si një vend i NATO-s. Së treti, patjetër që diçka e tillë nuk shkon në favor të vendit, nuk përputhet me interesat, vlerat, parimet as të NATO-s e as të BE. Si e tillë, me apo padashje çojnë ujë në mullirin e atyre që nuk e duan integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor si në NATO ashtu edhe në BE”, është shprehur Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASh) ka njoftuar se tani do…