‘Dardanët’ për fitore në Podgoricë

06 qershor 2019 | 10:31

Futbollistët e Kosovës kanë paralajmëruar se të premten ndaj Malit të Zi do të luajnë për fitore. “Kam plotësisht besim te djemtë tanë. Besoj fuqishëm se do të kemi gjasa të mëdha për ta fituar ndeshjen”, ka thënë Fidan Aliti. Ndeshja Mali i Zi – Kosova është e vlefshme për kualifikueset në Kampionatin Evropian dhe zhvillohet të premten nga ora 20:45.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të mërkurën e ka zhvilluar stërvitjen e fundit në Prishtinë dhe më pas ka udhëtuar drejt Malit të Zi. “Dardanët” të premten e zhvillojnë ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian ndaj përfaqësueses malazeze, kurse optimizmi në kampin e Kosovës është i madh për këtë ndeshje shumë të rëndësishme.

Mali i Zi është më lart se Kosova në renditjen e FIFA-s, por kjo nuk e brengos aspak mbrojtësin e Standart Legies, Mërgim Vojvoda, që të kërkojë fitore në këtë ndeshje. “Nuk duhet ta shikojmë renditjen e FIFA-s, por duhet të luajmë për t’i marrë tri pikë. Njëjtë vlen edhe kundër Anglisë që është brenda top 10-shës. Duhet të luajmë në çdo ndeshje pa frikë. Faktin që do të luhet ndeshja pa tifozë nuk di ta vlerësoj keq apo mirë për ne. Normalisht se çdo futbollist ka dëshirë të luajë në një stadium me shikues, por ndoshta malazezët do ta ndiejnë më shumë mungesën e shikuesve”, ka thënë Vojvoda.

Para shkuarjes në Mal të Zi foli edhe kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani, i cili vlerëson si shumë të vështirë ndeshjen që zhvillohet të premten. Megjithatë, ai beson se skuadra e drejtuar nga Bernard Challandes mund të marrë pikë nga kjo ndeshje. “Ndeshja kundër Malit të Zi është një ndeshje e madhe dhe e vështirë, por ne jemi përgatitur mirë dhe kemi punuar shumë. Atmosfera është e mirë dhe jemi në rrugë të mbarë. Por, tash mbetet që të premten ta tregojmë veten dhe të nxjerrim rezultat pozitiv. Të gjithë po punojmë për njëri-tjetrin”, ka thënë Ujkani, i cili në lidhje me mungesat e disa prej futbollistëve të rëndësishëm, ka shprehur besimin se kjo nuk do të krijojë probleme për faktin se në përfaqësuese kanë ardhur futbollistë të rinj.

Mbrojtësi Fidan Aliti beson fuqishëm në fitore ndaj Malit të Zi, kurse për mungesën e shikuesve është i mendimit se kjo i shkon përshtati Kosovës për faktin se luan si mysafire. “Kemi respekt për kundërshtarin, por ne i dimë kualitetet tona. Ndeshja në Podgoricë pa tifozë? Kam luajtur ndeshje të tilla me Skënderbeun në Ligën e Evropës. Është ndeshje e veçantë sepse çdo zë ndihet në fushë. Megjithatë, mund të jetë pozitiv sepse komunikimi mes lojtarëve është më i lehtë sepse s’ka zhurmë të shikuesve dhe kur e mendojmë se luajmë si mysafirë mund të jetë pozitive për ne. Kam plotësisht besim te djemtë tanë. Besoj fuqishëm se do të kemi gjasa të mëdha për ta fituar ndeshjen”, ka thënë Aliti.

Kosova bën pjesë në Grupin A së bashku me Anglinë, Bullgarinë, Malin e Zi dhe Çekinë.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë vizitës zyrtare në Berlin, kryeministri Ramush Haradinaj është takuar…