Zeka: Kosova ka përditësuar planin e reagimit për t’u dalë në ndihmë migrantëve

06 qershor 2019 | 13:55

Në kuadër të planit të reagimit për çështjet e migrimit, sot është mbajtur takimi me donatorë, me qëllim të identifikimit të nevojave për mbështetje dhe për të shkëmbyer përvojat për menaxhim efikas të këtij procesi.

Takimin e hapi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, njëherësh Koordinator Kombëtar për Migrim, Izmi Zeka, i cili ka theksuar se autoritetet e Kosovës kanë përcjellë në vazhdimësi zhvillimet dhe lëvizjet e migrantëve – refugjatëve në regjion.

Ai ka thënë se autoritetet e Kosovës që nga viti 2015 dhe në vazhdimësi kanë përpiluar dhe përditësuar planin e reagimit, në bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional dhe me organizatat ndërkombëtare në Kosovë.

“E kemi përditësuar planin e reagimit, i cili parasheh reagimin dhe koordinimin për daljen në ndihmë dhe përmbushjen e nevojave për 2500 migrantë, refugjatë gjatë të gjitha fazave të ardhjes së tyre në Kosovë. Ky plan përfshinë pritjen, regjistrimin, profilizimin, adresimin e nevojave emergjente të tyre, akomodimin, qasjen në procedurat e azilit etj”, ka thënë zëvendësministri Zeka.

Zeka ka theksuar se në bazë të kapaciteteve tona, për të reaguar në rast fluksi, do t’ju ofrohet mbrojtje e gjithëmbarshme migrantëve dhe do të trajtohen duke respektuar të gjitha të drejtat e tyre sipas standardeve ndërkombëtare dhe legjislacionit në Kosovë.

“Megjithatë, në mënyrë që të arrijmë këto kapacitete, ne shpresojmë se do të hasim në mirëkuptimin tuaj për të na u gjendur pranë, duke na ndihmuar në arritjen e kapaciteteve, respektivisht për të na mbështetur në fushat e caktuara”, është shprehur zëvendësministri Zeka.

Në këtë takim folën edhe përfaqësuesit e IOM-it, UNHCR-së dhe organizatave tjera në Kosovë, që mbështesin procesin e migrimit dhe azilit, të cilët janë partnerë kryesorë të institucioneve në menaxhimin e këtij procesi. Ata premtuan që edhe në të ardhmen do të vazhdojnë të përkrahin institucionet e Kosovës.

Në këto diskutime u konkludua se lëvizjet e migrantëve – refugjatëve në regjion vazhdojnë, me gjithë luhatjet e trendëve.

Ne këtë drejtim, Kosova mbetet si linje e komunikime në mes dy rrugëve kryesore, asaj nga Maqedonisë Veriore drejt Serbisë dhe asaj nga Shqipëria drejt Malit të Zi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Portugalia, që mundi Zvicrën 3-1 me trigolësh të Cristiano Ronaldos,…