Vetëvendosje: Kosova pa sigurime shëndetësore dhe pa mbrojtje sociale për të rrezikuarit

06 qershor 2019 | 16:46

Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se Komisioni Evropian (KE) në raportin e vitit 2019 e ka cilësuar Kosovën vend i cili nuk i garanton plotësisht as shërbimet bazike shëndetësore dhe as mbrojtjen sociale për qytetarët.

Sipas kësaj lëvizje ka një dallim të madh mes ligjeve të Kosovës, dhe sasisë në të cilën ligjet zbatohen.

Nënkryetarja e Vetëvendosjes, deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, në një konferencë për medie ka përmendur pasojat e kësaj gjendjeje në shëndetësi, ku sipas saj 40 për qind e kostos se shërbimeve shëndetësore mbulohet me para nga xhepat e pacientëve.

Për më tepër, ajo ka thënë se Kosova nuk është as pjesë e organizatës Eurotransplant dhe nuk i garanton transplantet për qytetarët e saj.

Sa i përket të drejtave të njeriut, deputetja e kësaj lëvizje, Saranda Bogujevci, ka thënë se mungon vullneti institucional për zbatimin e legjislacionit në fuqi, ku raporti i KE-së konstaton se dhuna në familje mbetet shqetësim i madh, me numër të lartë të grave të vrara dhe të keqtrajtuara, si dhe të fëmijëve.

“Çështja e strehimoreve nuk po zgjidhet sepse Qeveria po refuzon të sigurojë financim të qëndrueshëm. Strehimoret mbeten të varura prej vullnetit të subvencionimit. Gjithashtu, nuk ka mekanizma brenda institucioneve që monitorojnë gjendjen e strehimoreve. Dënimet janë shumë të ulëta për veprat penale, shpesh ato janë të vonuara në kohë, dhe shumë prej tyre nuk janë të formës së prerë. Ende mbetet shqetësim mosmiratimi i Projektligjit për të drejtat e fëmijëve dhe mungesa e fondeve për shërbime sociale për ta. E njëjta gjendje është edhe me personat me aftësi të kufizuara. Sa i takon minoriteteve dhe integrimit të komuniteteve të tjera, mungesa e dialogut të drejtpërdrejtë me ta shpërfaq faktin se mungesa e të drejtave dhe të integrimit të tyre nuk janë shqetësuese për qeverinë tonë”, ka thënë Bogujevci.

Ajo ka thënë se prioritet i Qeverisë mbetet asfalti dhe shpenzimet e luksit. “Që të ndryshojë Raporti i Komisionit Evropian për ne, dhe që të përmirësohet marrëdhënia jonë me BE-në, duhet së pari ta ndryshojmë qeverinë dhe t´i largojmë pushtetarët me mentalitet korruptim”, është shprehur ajo.

Deputetet Fatmire Mulhaxha-Kollçaku e Saranda Bogujevci, kanë theksuar se raporti i KE-së përmend atë që e dimë të gjithë. Sipas tyre vdekjet në vendin e punës po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

Ato kanë deklaruar se të drejtat e fëmijëve shkelen shpesh, pasi edhe pse ligji e ndalon punësimin e fëmijëve, 10 për qind e tyre punojnë, madje 6.8 për qind punojnë në kushte të rrezikshme.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partitë opozitare në Kosovë kanë një votë më shumë nga…