UP-ja shënon 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës me konferencë shkencore

10 qershor 2019 | 17:10

Për nder të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Kosovës, ka organizuar konferencën shkencore “Kosova, 20 vjet liri dhe përpjekje”.

Kjo konferencë, sipas rektorit të UP-së, prof. dr. Marjan Dema, paraqet aktivitetin e duhur akademik për të shënuar 20-vjetorin e çlirimit tonë.

“Universiteti i Prishtinës, që nga themelimi i tij, gati gjysmëshekulli më parë, është aktori kryesor në kthesat që e karakterizuan historinë e vendit tonë. Roli i Universitetit të Prishtinës në lëvizjet shoqërore në Kosovë ka qenë vital, meqë pikërisht UP-ja ishte foleja, prej nga filluan dhe u ngritën çështjet më madhore të kombit tonë në gjysmëshekullin e kaluar. Universiteti i Prishtinës doli në sipërfaqe për të ndërhyrë edhe në çështjet politike, pa të cilat ndërhyrje, historia e kombit tonë shumë herë do të shkruhej ndryshe”, ka thënë Dema.

Nikoqiri i kësaj konference, dekani i Fakultetit Filozofik, prof. dr. Bujar Dugolli, ka thënë se kjo konferencë do të ndihmojë në ndriçimin e çështjes së çlirimit të Kosovës. “Konferenca synon që studiuesve t’u japë rastin që para audiencës t’i prezantojnë rezultatet shkencore pa paragjykime, pa konstruksione paraprake, pa ngjyrime të çfarëdo lloji qofshin ato, ashtu që të zbardhet procesi i mundimshëm për luftën çlirimtare të Kosovës dhe për çlirimin e saj”, është shprehur Dugolli.

Punimet e konferencës “Kosova, 20 vjet liri dhe përpjekje” u përshëndeten edhe nga zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti, përfaqësuesi i diasporës shqiptare në ShBA, Xhevat Prespa, dhe drejtori i Institutit Albanologjik në Kosovë, prof. dr. Hysen Matoshi.

Në këtë konferencë u prezantuan 39 kumtesa shkencore, të cilat do të botohen në revistën e Fakultetit Filozofik “Buletini shkencor”.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka pritur…