Gjeopolitika e marrëveshjes Kosovë-Serbi

11 qershor 2019 | 10:20

Prof. Dr. Blerim Reka

Po të parafrazonim Çerçilin, Ballkani gjithmonë ka prodhuar më shumë probleme se sa që ata mund t’i zgjidhin dhe demonstrimi i fundit i kësaj tendence është paqëndrueshmëria e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Së fundi, kjo çështje ballkanike po ndikon në mënyrë të habitshme gjeopolitike.

Deri vonë, sypozuar se ky problem nga fillimi i shekullit të 20-të, do të zgjidhej në dekadën e dytë të 21-të. Por tri përpjekje të bashkërenduara nga bashkësia ndërkombëtare – bisedimet e Ramboullet (1999), negociatat e Vjenës (2005-2006) dhe Plani i Ahtisaarit (2007) nuk arritën të japin një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.

Dialogu i Brukselit (2012-2019), i ndërmjetësuar nga BE, gjithashtu nuk ka dhënë rezultat. Duket se nuk do të arrihet asnjë marrëveshje deri në fund të këtij viti. Po aq edhe periudha 2020-2021 duket e pashpresë si një datë e përfundimit.

Preferenca të ndryshme

Vendosja e marrëdhënieve normale midis Kosovës dhe Serbisë, që kanë qenë në një gjendje nominale lufte për dy dekada, është më shumë se një çështje dypalëshe apo një problem rajonal. Dimensioni i saj gjeopolitik është dëshmuar më së miri nga pikëpamjet e tre (katër) lojtarëve globalë, secili prej të cilëve duke preferuar një opsion tjetër. ShBA, këmbëngulin në një zgjidhje paqësore të pranueshme në mënyrë reciproke, që nuk përjashton korrigjimin e kufijve (JohnBolton). Rusia është për “çdo zgjidhje që është e pranueshme për Serbinë”. BE-ja, dëshiron një marrëveshje normalizimi që mund edhe të lejojë shkëmbimin e territoreve. Megjithatë, Gjermania dhe Franca, tandem mbizotërues i BE-së, kundërshtojnë me ngulm ndryshimet territoriale.

Këto pozicione kontradiktore vetem sa mund të komplikojnë kërkimin për një zgjidhje përfundimtare. Ashtu siç gjërat tani qëndrojnë, janë të mundshme tri afate kohore për një marrëveshje të mundshme.

Skenari i parë,  afatshkurtër, do të parashihte një zgjidhje para fundit të vitit 2019, por kjo është më pak e mundshme. Sipas skenarit të dytë më të mundshëm, një marrëveshje do të arrihet gjatë dy viteve të ardhshme, përpara fundit të vitit 2021. Skenari i tretë supozon se procesi i normalizimit do të zgjatet përtej vitit 2022, duke e bërë kursin dhe rezultatin e saj të ardhshëm të paparashikueshme.

‘Dueti Mercron’

Në të tre skenarët, rivendosja e marrëdhënieve normale midis Kosovës dhe Serbisë trajtohet si një proces multilateral. Kjo u konfirmua nga takimi i fundit joformal i BE-së mbi Ballkanin Perëndimor, në Berlin më 29 prill. Në atë takim kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron vendosën të marrin kontrollin e dialogut të Brukselit, i cili kishte ngecur pothuajse njëvit nën ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri Federica Mogherini.

Ky hap ishte një qortim i heshtur ndaj përpjekjeve të zgjatura të dy komisioneve evropiane dhe shefave të tyre diplomatikë: Catherine Ashton (2012-2014); dhe Mogherini (2014-2019). Takimi i Berlinit shënoi një ndryshim efektiv të lidershipit, duke vënë “duetin” e Gjermanisë dhe të Francës në krye të bisedimeve të normalizimit, edhe pse Mogherini mbeti si ndërmjetëse nominale e dialogut.

Negociatat kishin ngecur në mes të vitit 2018, pasi Kosova e akuzoi Serbinë se nuk e zbatoi zotimin e saj sipas Marrëveshjes së Brukselit (2013) për të mos bllokuar anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, siç është INTERPOLI. Si hakmarrje, Prishtina shpalli tarifat e importit për produktet serbe në nëntor 2018. Serbia pastaj bojkotoi takimet e mëtejshme të dialogut të Brukselit.

Një arsye tjetër pse Berlini dhe Parisi dukeshin kritikë në trajtimin e negociatave të Komisionit Evropian, ishte gatishmëria e tij për të shqyrtuar ndryshimin e mundshëm të kufirit. Kjo ishte anatema ndaj kancelares Merkel dhe presidentit Macron, i ashtuquajturi “Dueti Mercron”. Pasi ishte e qartë se bisedimet për normalizim kishin dalë nga kursi, në gusht 2018, presidenti serb Aleksandar Vuçiq shpalli një “planin përfundimtar” që do të përfshinte shkëmbimin e territoreve me Kosovën. Mogherini ishte pro këtij propozimi, por jo edhe kancelarja Merkel, e cila përsëriti qëndrimin fundamental të Gjermanisë: ndryshimet territoriale në Ballkan janë të papranueshme dhe çdo marrëveshje normalizimi midis dy shteteve duhet t’i respektojë kufijtë ekzistues. Kjo u rikonfirmua kohët e fundit nga Merkel, më 6 qershor në takimin e saj me kryeministrin e Kosovës Haradinaj në Berlin.

Dështimi i shkëmbimit

Presidenti i Serbisë Vuçiq pranoi se takimi i Berlinit qe vdekje e planit të tij për një “marrëveshje kompromisi kufitare”. I këtij vlerësimi ishte edhe kryeministri i Kosovës RamushHaradinaj, i cili u tha gazetarëve në fillim të majit se “opsioni i këmbimit të kufijve është histori”.

Tash varet nga vazhdimi i iniciativs franko-gjermane, në Paris më 1 korrik, por një ditë pas takimit të Berlinit, presidenti Macron zbuloi strategjinë e re të Francës për Ballkanin Përendimor. Berlini, pra ishte vetëm stacioni i parë i kësaj nisme të re gjermano-franceze, duke marrë një qasje shumë më të ashpër ndaj procesit të zgjerimit të BE-së në rajon. Mesazhi i hapur për vendet kandidate ishte se nëse nuk do të jepnin reforma të vërteta dhe të thella në sundimin e ligjit dhe kapitujt e sigurisë të acquis communautaire, ata mund të presin gjatë për hyrje në Union.

Dokumenti francez hasi në pritje të ftohtë në Ballkanin Perëndimor, ku shihej se sinjalizonte që objektivi i shpallur nga Komisioni Evropian në vitin 2025 për anëtarësim nuk ishte më i vlefshëm dhe se data e mundshme e pranimit ishte shtyrë deri në vitin 2030. Kjo do të ekspozonte Ballkani Perëndimor në një dekadë tjetër të emigracionit nga të rinjtë dhe të arsimuarit. Ky largim katastrofik i trurit tashmë i ka kushtuar rajonit 6 milionë njerëz, ose një e treta e popullsisë së saj, sipas një vlerësimi nga Suma Chacrabati, president i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Carnegie Europe ka kritikuar mungesën e një politike të qartë të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, duke paralajmëruar se kjo neglizhencë mund të çojë në një ndikim më të madh rus dhe kinez në rajon. Kjo e risjell agjendën e sigurisë, për të parandaluar rajonin drejt rrëshqitjes nga orientimit euroatlantik në alternatia tjera, si ndikimin rus dhe kinez në rajon.

Jehona e Bizmarkut

Samiti i Berlinit dha dy mesazhe të qarta: 1) Dialogu i Brukselit duhet të rifillojë nga e para; dhe 2) ndryshimi i kufijve duhet të shmanget si pjesë e një zgjidhjeje Kosovë-Serbi.

Fae pak mund të pritet nga Bashkimi Evropian gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. Pas zgjedhjeve të majit në Parlamentin Evropian, duhet të zgjidhet një Komision i ri Evropian dhe të zgjidhet një Përfaqësues i Lartë i ri dhe ndërmjetës për dialogun Kosovë-Serbi. Realisht, Mogherini është në përfundim të mandatit dhe zëvendësimi i saj nuk do të dihet deri në tetor. Për të shmangur edhe më shumë humbjen e kohës, iniciativa e re franko-gjermane synon që ta kapërcejë këtë pikëpyetje gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

Për vëzhguesit e takimit të Berlinit, është e pamundur të injorohen disa jehona që evokohen nga Kongresi i Berlinit i vitit 1878, i organizuar nga paraardhësi i saj i shquar Otto von Bizmark, atëherë për të zgjidhur “çështjen lindore”. Një shekull e gjysmë më vonë, Evropa ende nuk duket se ka përgjigje të qartë për Ballkanin Perëndimor. Kufijtë e rajonit dhe hartat politike janë akoma të paqëndrueshme, dhe armiqësitë kombëtare që i vendosin shtetet e saj kundër njëri-tjetrit mbeten të pazgjidhura. Para së gjithash, në vend që të bëhen pjesë e BE-së, rajoni është mbërthyer fort në lindje. Pozicioni i saj mbetet gati i njëjtë si një shekull e gjysmë më parë: një periferi evropiane.

Evropa neglizhente

Pas Berlinit, bisedimet e normalizimit të drejtuara nga dueti do të vazhdojnë: këtë verë në Paris, pastaj në Poloni me raundin e gjashtë të Procesit të Berlinit. Përfundimsht, ka të ngjarë që në fund të vitit të ketë edhe një takim tjetër në Uashington- vetëm nëse Prishtina dhe Beogradi do të arrijnë një marrëveshje.

Realizimi i skenarit të parë dhe afatshkurtër do të kërkonte arritjen e një zgjidhjeje mes Kosovës dhe Serbisë gjatë kësaj periudhe shtatëmujore. Kjo është një kohë tejet e shkurtër për të zgjidhur një mosmarrëveshje të tillë të komplikuar. Është gjithashtu një periudhë tepër e shkurtër për të arritur një konsensus midis interesave ndërkombëtarë konkurruese, sidomos Evropës, Rusisë dhe ShBA-ve.

Presidenti i ShBA-së, DonaldTrump, tashmë ka ftuar homologun e tij kosovar dhe atë serb, presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë nëse dhe kur do të arrijnë një marrëveshje përfundimtare. Kjo ofertë tashmë është përshkruar si një marrëveshje e re “Camp David” për paqen e Ballkanit, e ngjashme me atë të arritur katër dekada më parë midis Izraelit dhe Egjiptit. Por vëzhguesit e zellshëm kanë vënë në dukje se ftesa e presidentit Trump mund të ketë luajtur një rol edhe në nismën e re të Ballkanit, të nisur nga Merkel dhe Macron.

Jo vetëm një reagim ndaj përparimit të ngadaltë të dialogut të Brukselit, demarshi i Bedrlinit, mund të interpretohet gjithashtu edhe si një mesazh për Uashington se dy fuqitë më të mëdha të Evropës nuk do të shpërfillen në çështjet e Ballkanit. Për kancelaren Merkel, një marrëveshje e paqes mund të ishte arritja e saj e fundit ndërkombëtare derisa është në detyrë, duke pasur parasysh vendimin e saj për të dhënë dorëheqjen deri në fund të vitit 2020. Për presidentin Macron, ndërmjetësimi i suksesshëm do të rriste reputacionin e tij ndërkombëtar, i cili kohëve të fundit është prekur nga përmbytjet në Libi. Gjithashtu kjo do të promovojë vizionin e tij të ri për BE-në, i cili e sheh bllokun duke thelluar integrimin e saj përpara zgjerimit të mëtejshëm

 ShBA-ja dhe Rusia

Sa i përket lojtarëve të tjerë të rëndësishëm, ShBA janë duke u përgatitur për zgjedhjet presidenciale në vitin 2020, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin do të arrijë mesin e mandatit të tij përfundimtar presidencial. Nuk kishte asnjë tregues të menjëhershëm se mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi u përmendën në takimin në fillim të majit midis sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov. Me tensionet midis dy shteteve për: Venezuelën, Ukrainën, Sirinë dhe dyshimet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e ShBA-së Ballkani Perëndimor mund të jetë vënë në rend të dytë të administratës së Trumpit. Kjo do të shtyjë sqarimin e nevojshëm të pozicionit amerikan për sigurinë e Evropës Juglindore

Rusia, nga ana tjetër, mbetet e interesuar në mënyrë intensive në rajon. Trajtimi i saj ndaj mosmarrëveshjeve Serbi-Kosovë duket identik me qasjen e saj ndaj kontestit 27-vjeçar midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, e cila përfundoi këtë vit pasi parlamentet e të dy vendeve ratifikuan marrëveshjen e Prespës në qershor 2018. Në këtë rast, Moska vazhdimisht u pozicionua me Greqinë duke kundërshtuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Tani, Rusia është avokati kryesor i Serbisë në përpjekjet për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, INTERPOL dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Herët apo vonë?

Për të gjitha pengesat e përmendura më lart, është e habitshme se lehtë mund të arrihet një kompromis midis Kosovës dhe Serbisë, por diçka edhe mund të lëvizë. Në fazën e parë, ajo do të mund të ishte në një shkëmbim i thjeshtë: OKB-ja për BE-në. Beogradi do të mund të heqë dorë nga kundërshtimet e veta ndaj Kosovës duke fituar një vend në OKB, ndërsa Prishtina do të pohonte që marrëdhëniet me Serbinë ishin bërë mjaftueshëm “të normalizuara” për të zhbllokuar Kapitullin 35 (që ka të bëjë me Kosovën) të negociatave të Serbisë në BE. Kjo ende nuk do të përbënte një zgjidhje gjithëpërfshirëse të paqes ose rivendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike, por do të ishte një pazar fer fillestar.

E vetmja mënyrë që ky skenar të bëhet i realizueshëm është me mbështetjen e plotë të duetit franko-gjerman, (për të fituar mbështetje në Këshillin e Evropës dhe një konsensusi të ShBA-ve dhe Rusisë, për të kapërcyer çdo kundërshtim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Për të fituar një moment diplomatik, Merkel dhe Macron do të duhej të detyronin Prishtinën dhe Beogradin për dy vendime të shpejta: heqjen e tarifave të Kosovës ndaj mallrave serbe dhe tërheqjen e kundërshtimeve të Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Nëse këta hapa nuk ndodhin brenda dy ose tre muajve të ardhshëm, do të humbet shansi për një zgjidhje afatshkurtër.

Data e synuar 2020-2021 për normalizimin e plotë është më realist thjesht për shkak të afatit dyvjeçar. Kjo i jep më shumë kohë jo vetëm politikanëve në Kosovë dhe Serbi, por edhe në mesin e lojtarëve të mëdhenj. ShBA-ja, Rusia dhe BE-ja do të kenë mundësi më të mëdha për të zgjidhur prioritetet e tyre rajonale, nga Ukraina në Ballkan dhe Lindjen e Mesme. Kancelarja Merkel sigurisht do të donte ta mbyllë karrierën e saj politike me një triumf diplomatik, edhe pse do të ishte vështirë të pritej që presidenti Trump, në mes të një fushate të ashpër për rizgjedhje, t’i kushtonte më shumë kohë Ballkanit Perëndimor.

Gjërat bëhen më të komplikuara në qoftë se zgjidhja përfundimtare shtyhet përtej vitit 2021. Konfliktet ballkanike rrallë përmirësohen kur lejohet që ato të zbehen. Më e rëndësishme, me kalimin e kohës, shanset e rritjes së ndryshimeve të lidershipit me shumicë jo vetëm në BE dhe në ShBA, por edhe në Serbi, Kosovë dhe madje edhe në Rusi. Presidenti Thaçi në Kosovë dhe presidenti Vuçiq në Serbi përfundojnë mandatet e tyre në 2021, respektivisht në 2022. Krerët e rinj të shtetit mund të kenë agjenda të ndryshme ose kanë nevojë për kohë shtesë për të zotëruar çështje që i kanë penguar paraardhësit e tyre.

 (Botuar në Geopolitical Intelligence Service. Përktheu nga anglishtja Arsim Osmani).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhjetë kandidatë do të garojnë për postin e kryetarit të…