Këshilli ndërministror diskuton për veprimet e ndërmarra kundër etheve hemorragjike

11 qershor 2019 | 17:48

Nën udhëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Ndërministror për Luftimin dhe Parandalimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHCC). Ministri Ismaili ka thënë se takimi i Këshillit po mbahet me qëllim të përcjelljes sa më të mirë të zbatimit të masave për kontrollin e etheve hemorragjike për të ndikuar në uljen e kësaj sëmundje e cila shkaktohet si pasojë e pickimit dhe infektimit nga rriqrat.

Ismaili ka kërkuar nga të gjitha institucionet që janë përgjegjëse për zbatimin e planit operativ për parandalimin dhe luftimin e EHCC-së që ta rrisin angazhimin gjatë kësaj periudhe kur frekuenca e rasteve mund të jetë më e shprehur.

Drejtori i Institutit Kombëtar për Shëndetësi Publike (IKShP), Naser Ramadani, ka thënë se në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera po zbatohen aktivitetet e planit operacional me qëllim të parandalimit dhe luftimit të EHCC-së, kurse zyrtarë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës njoftuan se në terren po bëhet dezinsektimi i hapësirave bashkë me komunat që njihen si zona endemike (Malishevë, Suharekë, Rahovec e Klinë), si dhe repelimi i kafshëve si masë parandaluese.

Këshilli, gjithashtu, u bënë thirrje qytetarëve të kenë kujdes të shtuar gjatë kësaj sezone duke zbatuar masat e përgjithshme për mbrojtje nga ethet hemorragjike, ndërsa në rast të pickimit nga rriqrat të lajmërohen te mjeku më i afërt në kujdesin primar shëndetësor.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ish-presidentin…