Matoshi pranon një donacion nga projekti 4 milionë dollarësh i Japonisë në Kosovë

11 qershor 2019 | 18:05

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, të martën ka pranuar një donacion shumë të vlefshëm nga Qeveria Japoneze, në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Republikën e Kosovës”, projekt ky që në total kap vlerën prej 4 milionë dollarësh.

Ky donacion është ndarë për Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës nga këshilltari i ambasadorit të Japonisë në Vjenë, Daisuke Sugihara, këshilltari i JICA-së, Makino Takahiko dhe ekspertë tjerë japonez.

Me këtë rast, ministri Matoshi ka thënë se Qeveria e Japonisë përmes JICA-së, është duke dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh në fushën e mjedisit.

“Ky projekt, përveç studimit mbi burimet e ndotjes së ajrit dhe ngritjes së kapaciteteve humane, po kontribuon edhe me instrumente matëse për matje të emisioneve, me të gjitha pajisjet përcjellëse dhe shumë pajisje tjera të nevojshme, për të krijuar një sistem të qëndrueshëm për menaxhimin e cilësisë së ajrit”, ka deklaruar ministri Matoshi

Ai ka thënë se përveç fushës së ajrit, Qeveria Japoneze ka mbështetur sektorin e menaxhimit të mbeturinave me pajisje për transportin e mbeturinave dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore.

“Qeveria Japoneze po mbështet Kosovën edhe me një grant prej mbi 2 milion euro me pajisje për transportin e mbeturinave që do të ndihmoje në krijimin e një sistemi të qëndrueshme për menaxhimin e integruar të mbeturinave”, ka deklaruar Matoshi.

I pari i MMPH-së, Matoshi ka falënderuar Qeverinë Japoneze për mbështetjen në realizimin e projekteve në fushën e ajrit dhe mbeturinave.

Ndërsa këshilltari i ambasadorit të Japonisë në Vjenë, Daisuke Sugihara ka treguar se qeveria e tij së shpejti do të hap ambasadën e parë të Japonisë në Kosovë.

“Qeveria Japoneze ka vendosur që të hap ambasadën tonë në Prishtinë. Këtë vit është 10 vjetori i lidhjes së marrëdhënieve tona diplomatike mes Japonisë dhe Kosovës dhe ne dëshirojmë të thellojmë bashkëpunimin tonë”, ka thënë Sugihara.

Sipas tij, shteti i Japonisë do të ofrojë mbështetje për Kosovën edhe në fushën e mjedisit, konkretisht në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka paralajmëruar sot se nuk…