Thaçi fton Spanjën ta njohë Kosovën

13 qershor 2019 | 22:01

Presidenti Hashim Thaçi ka dhënë një intervistë për mediumin spanjoll “EFE” ku ndër të tjerash ka kërkuar edhe njohjen e Spanjës.

I pyetur se pse Spanja duhet të rrezikojë stabilitetin e saj duke e njohur Kosovën në mes të krizës aktuale me Kataloninë, Thaçi tha se rasti i Kosovës nuk ka të bëjë me atë të Katalonisë, raporton Klan Kosova.

“Ftoj Spanjën që të na njohë, pasi do të ishte vendimi i duhur. Rasti i Kosovës është i veçantë. Në Kosovë ka ndodhur spastrim etnik dhe gjenocid nga shteti i Sllobodan Millosheviqit”.

“Ne kemi luftuar për ekzistencë. Ndërhyrja e NATO-s ka qenë një ndërhyrje humanitare për të mbrojtur popullsinë civile. Spanja nuk është Serbi, nuk qeveriset nga një Sllobodan Millosheviq dhe as Katalonia nuk është Kosovë”.

“Kjo është një ftesë e imja që Spanja të njohë Kosovën, që shqyrton argumentet pozitive dhe jo vështirësitë”.

Presidenti kosovar i tha mediumit spanjoll se njohja e Spanjës ka rëndësi të madhe për Kosovën, pasi do t’i hapë rrugë edhe njohjeve të reja nga shtetet e Amerikës Latine.

“Nëse Spanja do ta njohë Kosovën do të ketë edhe njohje të reja. Në çdo rrethanë ne e duam dhe e respektojmë Spanjën. Ne do të jemi së bashku de jure pjesë të së njëjtës familje, të NATO-s dhe të BE-së”.

“Ne kemi pasur dhe kemi kontakte me Brazilin dhe Argjentinën dhe e kam vizituar Brazilin. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Brazili dhe Argjentina është një çështje kohe. Dhe njohja nga Spanja do të ndihmojë vendet e tjera në Amerikën Latine që të na njohin”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Skenderajt Bekim Jashari, përmes rrjetit social…