‘Dosja ruse’, Bashës i komunikohen akuzat: Nuk kanë asnjë provë

19 qershor 2019 | 12:06

Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Bashës, u janë komunikuar sot dy akuza që rëndojnë ndaj tij për çështjen e quajtur si “Dosja ruse”.

Menjëherë sapo ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Tiranës, Basha, ka thënë se thirrja është bërë me qëllim të shpërqendrimit të qytetarëve nga skandalet e Qeverisë, të publikuara nga gazeta “Bild”.

Ai ka theksuar se nuk ka asnjë fakt apo provë kundër tij për kontratat e lobimit.

“E vetmja arsye pse jam këtu është që të shërbej si shpërqendrim për ju dhe qytetarët nga skandalet që kanë plasur nga ‘Bild’ dhe nga ato që do të plasin nesër. Prokuroria nuk ka asnjë fakt, nuk ka asnjë provë ndryshe apo shtesë që nga 25 maji kur unë isha këtu. Zyrtarisht më komunikuan që nuk ka asgjë të re. Kjo për arsye të thjeshtë se kjo akuzë është montuar nga Edi Rama”, është shprehur Basha.

Falsifikim dokumentash dhe pastrim parash janë dy akuzat që rëndojnë mbi Bashën, i cili ka ripërsëritur se procesi është montuar në zyrën e kryeministrit.

“U njoha me akuzën që nuk është akuzë sepse nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, asnjë dokument të falsifikuar, asnjë rus të vetëm, nuk ka asgjë, është një akuzë e formuluar për t’ju shpërqendruar juve. Dosjen do ma vënë sot në dispozicion sepse nuk e kanë gati”, ka thënë Basha.

I pyetur nga gazetarët se përse vendosi të paraqitej sot në Prokurori dhe jo disa ditë më parë kur i ishte bërë kërkesa e parë, Basha ka thënë: “Atë ditë nuk zbatuan ligjin, ndërsa sot kishin për qëllim që të unë të përdoresha si shpërqendrim (shoqërimin me forcë), por jam i bindur se do të dështojnë”.

Dy ditë më parë, Basha e ka konsideruar të jashtëligjshme kërkesën e Prokurorisë për t’u marrë në pyetje dhe refuzoi të paraqitej. Por organi i akuzës iu kundërpërgjigj duke urdhëruar shoqërimin e tij me forcë.

Ditën e djeshme ishte Arben Ristani, ish-sekretar i përgjithshëm i PD-së, gjithashtu i akuzuar në këtë çështje, që u paraqit para prokurorëve. Atij i janë komunikuar të njëjtat akuza si ato që rëndojnë ndaj Bashës.

Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së është hapur në nëntorin e dy viteve të shkuara kur firma amerikane “Muzin Capitol Partners”, ka plotësuar me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë.

Sipas deklarimeve të kësaj kompanie, ajo kishte marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017, raporton “TCh”.
Nga deklarimet e firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja. Dy të tjerat mbetën të paqarta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Korab Sejdiu, deputet i pavarur në Kuvend të Kosovës, gjatë…