Zëvendësministrja Bakija-Deva, deputetëve: Lëreni inatet politike dhe votojeni Ligjin për sponsorizime

20 qershor 2019 | 23:28

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Burbuqe Bakija-Deva, u ka bërë thirrje deputetëve që t’i lënë anash interesat partiake dhe inatet politike, dhe në seancën e radhës të votojnë amendamentimin e Ligjit për Tatimin e të Ardhurave në Korporata, i cili e mundëson harmonizimin me Ligjin për sponsorizim.

Bakija-Deva përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se miratimi i këtij ligji i hap rrugë zhvillimit të sportit, artit dhe kulturës sonë dhe njëherësh mundëson dhe josh kompanitë e shumta që t’i përkrahin sportistët, artistët dhe krijuesit.

Postimi i plotë i saj:

Kërkesë për deputetët e Kuvendit të Kosovës!

Të nderuar Deputetë, Ju të cilët nuk votuat për amendamentimin e Ligjit për Tatimin e të Ardhurave në Korporata!

Mos votimi juaj i këtij ligji i cili e mundëson harmonizimin me Ligjin për Sponsorizim, aq sa ishte zhgënjyes po aq ishte edhe befasues.

MKRS tani më kemi përfunduar të gjitha procedurat dhe kemi vërtetuar disa sponzorizime, të cilat nuk po arrijmë t’i implementojmë për shkak të problemeve me institucionet financiare, në këtë rast nga ana e ATK-së.

Andaj ju lutem, që t’i lëni anash interesat partiake dhe inatet politike, dhe në seancën e rradhës të gjithë të votoni këtë Ligj, sepse miratimi i këtij Ligji hap rrugë zhvillimit të Sportit, Artit dhe Kulturës sonë dhe njëherësh ua mundëson dhe josh kompanitë e shumta që t’i përkrahin Sportistët, Artistët dhe Krijuesit tanë.

Sportistët, Artistët dhe Krijuesit tanë po e kryejnë punën e tyre me krenari dhe përgjegjësi në çdo sferë, e tani mbetet radha juaj që të dëshmoni se jeni përkrahës të njëmendtë të zhvillimit të Sportit, Artit dhe Kulturës, jo vetëm duke u krenuar me rezultatet e tyre përmes fotove në rrjetet sociale, por duke e votuar Ligjin në fjalë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Neymari e ka humbur dëshirën për të luajtur futboll në…