Haradinaj vizitoi komunitetin egjiptian në Fushë Kosovë, në kuadër të “Javës së Egjiptianëve”

20 qershor 2019 | 23:59

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitoi të enjten komunitetin egjiptian në Fushë Kosovë, në kuadër të “Javës së Egjiptianëve”.

Kryeministri Haradinaj tha se ky është një moment i mirë për të shprehur respektin dhe falënderimin për angazhimin e sinqertë që ky komunitet ka dhënë në proceset e përgjithshme në Kosovë.

“Ju sigurojë se së bashku me deputetin e këtij komuniteti, zëvendësministra dhe kolegë të tjerë do të punojmë në vazhdimësi për tema me rëndësi për jetën e komunitetit egjiptian. Ne së bashku kemi arritur që me një vendim të Qeverisë, data 24 Qershor, Dita e Egjiptianëve të Ballkanit, të shpallet ditë memoriale dhe të respektohet në vazhdimësi”, tha kryeministri Haradinaj, duke uruar komunitetin egjiptian për shënimin e kësaj dite.

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se komuniteti egjiptian ka qenë pjesë e të gjitha proceseve në Kosovë, edhe në luftën për liri, dhe se Qeveria e Kosovës do të bëj përpjekje për përfaqësim të barabartë të këtij komuniteti në institucione, në punësim, por edhe aty ku merren vendime dhe ku diskutohet për fatin e Kosovës.

Nga një fjalë rasti e mbajtën edhe Adriana Hoxhiq, ministre e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Bashkim Krasniqi, zëvendësministër në MAPL, Artan Berisha, zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Veton Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës, të cilët e falënderuan kryeministrin Haradinaj për përkrahjen që Qeveria ka dhënë për këtë komunitet dhe vendimin që data 24 Qershor të shpallet Ditë memoriale për komunitetin egjiptian në Kosovë.     

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të enjten është mbajtur Kuvendi zgjedhor i Degës së parë…