Dështon zgjedhja e pasuesit të Junckerit

21 qershor 2019 | 12:45

“Konstatova me një kënaqësi të veçantë se nuk është e lehtë të më zëvendësojnë mua”. Kështu me humor e ka njoftuar Jean Claude Juncker mungesën e një rezultati në mbledhjen e Këshillit Evropian për gjetjen e një kandidature konsensuale për postin e kreut të Komisionit Evropian.

Në Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 26 majit asnjë grupim nuk ka siguruar shumicën.

Kancelarja gjermane Angela Merkel vijon të mbështesë kandidatin e Partisë Popullore Evropiane, gjermanin Manfred Veber. Por kandidatura e tij kundërshtohet nga presidenti francez Emanuel Macron, i cili ka marrë një rol lideri tek liberalët.

Macron ka sqaruar  se si kritere nuk ka kombësinë apo përkatësinë politike, por aftësinë për të drejtuar Komisionin, që sipas tij Veber nuk e ka.

“Nuk kam asgjë kundër kandidatëve gjermanë. E kam thënë pa shaka se do e mbështesja Merkelin si kandidate sepse besoj se ka aftësi të mira për të qenë presidente e Komisionit”, ka deklaruar presidenti francez.  

Kurse, Merkel kërkon të zbatohet parimi i përzgjedhjes së kandidatit të partisë që renditet e para në zgjedhje. “Jemi në gjysmë të rrugës, por jo atje ku do doja të ishim”, ka deklaruar Merkel.

Analistët thonë se Gjermania dhe Franca, që kanë përzgjedhur historikisht presidentët e KE-së, duket se i kanë dhënë fund mirëkuptimit mes tyre.

Mbledhja e radhës për këtë çështje do të mbahet më 30 qershor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pronari i operatorit virtual për telefoni mobile Dardafon.net L.L.C e…