Njohja e pavarësisë dhe pranimi i krimit të gjenocidit

25 qershor 2019 | 08:16

Shkruan: Bardhyl Mahmuti

Çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë është çështje politike që varet edhe nga vullneti i saj. Ndërsa pranimi i krimit të gjenocidit në Kosovë është çështje e drejtësisë dhe duhet t’i imponohet Serbisë!

Me kërkesën e Serbisë, më 8 tetor 2008 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën (Rezoluta A/63/3, 8 tetor 2008) përmes të cilës kërkoi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë mendim lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Konkretisht, kësaj gjykate iu kërkua që t’i përgjigjej pyetjes: “A është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës në pajtim me të drejtën ndërkombëtare?”.

Duke u mbështetur në argumentet e trajtuara dhe të ekspozuara në 121 paragrafë, më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli vendimin e vet se “akti i miratimit të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelur as të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk ka bërë shkeljen e asnjë rregulle të aplikueshme të së drejtës ndërkombëtare”. (Vendimi i Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë, paragrafi 73).

Përkundër kësaj, Serbia nuk e njeh pavarësinë e shtetit të Kosovës, sepse kjo është çështje politike që varet edhe nga vullneti i saj. Nuk ekziston asnjë instrument ndërkombëtarë që e detyron Serbinë ta ndryshojë qëndrimin.
Një gjë të tillë pohoi edhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ky ish ministër i informacionit të Serbisë së Sllobodan Millosheviqit, që gjatë kohës së luftës kishte për funksion fshehjen e gjenocidit në Kosovë,deklaroi për “TV Pink” të Serbisë se “nëse nuk merr nga Kosova atë që ka në plan, nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës edhe sikur të gjithë amerikanët”!
Prandaj, vetëm ata që dëshirojnë t’i falin tokën e Kosovës Serbisë mund të shpresojnë në arritjen e marrëveshjes me Serbinë e udhëhequr nga ata që përpiluan, ekzekutuan dhe fshehën krimin e gjenocidit në Kosovë.
Për dallim nga njohja e pavarësisë së Kosovës, si çështje politike, krimi i gjenocidit është çështje e drejtësisë dhe duhet t’i imponohet Serbisë!
Është e qartë se refuzimi i pranimit të përgjegjësisë shtetërore për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë është politikë konstante e këtij shteti.

Madje edhe në kohën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ministri i atëhershëm serb i punëve të jashtme, Goran Svillanoviq refuzonte të jepeshin provat për gjenocidin në Kosovë, me arsyetimin se “nëse ju ndihmojmë ta dënoni Millosheviqin për gjenocid, atëherë, edhe shteti ynë do të dënohet për gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe do të duhet t’i paguajmë miliarda dollarë dëmshpërblim… Ndërsa presidenti i atëhershëm serb Vojislav Koshtunica mbronte tezën se “drejtësia dhe e vërteta e dëmtojnë stabilitetin në rajon dhe veprojnë kundër paqes” (Florence Hartmann, Paix et châtiment, f.118).

Mirëpo gjenocidi, si shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtare, prek tërë komunitetin ndërkombëtar. Nëse arrimë të ndriçojmë në përmasa ndërkombëtare gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe të sigurojmë mbështetjen e forcave demokratike në botë, atëherë, shteti serb do të jetë i detyruar t’i pranojë krimet e kryera dhe të jep llogari për planifikimin dhe zbatimin e gjenocidit në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njohësi i proceseve politike, profesor Milazim Krasniqi, ka vlerësuar se…