OVLUÇK-ja: Sabit Geci po maltretohet duke u mbajtur padrejtësisht nëpër burgje

26 qershor 2019 | 17:56

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përmes një reagimi ka shprehur shqetësimet lidhur me rastin e veteranit Sabit Geci.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, është e shqetësuar për rastin e veteranit-invalidit të luftës z. Sabit Geci, i cili është maltretuar kohë të gjatë, duke u mbajtur padrejtësisht nëpër burgje, për shkak të gjykimeve “për krime lufte” që për ne ishin dhe janë procese të montuara politike. Duke e ditur gjendjen shëndetësore të z. Geci, i cili përballet me sëmundje të rënda, sëmundje të cilat janë edhe me diagnoza të njëjta nga ana e mjekëve të UNMIK, EULEX, Turqisë dhe Kosovës, neve na ka ardhur mirë që drejtësia e liroi gjashtë muaj për shkaqe shëndetësore”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së, duke theksuar se në lidhje me këtë rast janë habitur me reagimin e ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

“Lidhur me këtë lirim, jemi habitur me reagimin e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, z. Philip Kosnett dhe pyesim se a ka të drejtë të përzihet në drejtësi, dhe pse nuk reagon për mosgjykimin e serbëve, të cilët kanë bërë dhunime, djegie, shkatërrime dhe krime deri në gjenocid. Duke pasur parasysh që EULEX nuk ka më mandat për këto gjëra, pyesim: A kaq e paaftë është Prokuroria Speciale e Kosovës, që të dërgoi kërkesë në EULEX, për zbutje të dënimit të z. Geci, kur e di që kjo gjë në kompetencë të kujt është. Për fund: Ne mendojmë se vendorët dhe ndërkombëtarët kënaqen vetëm atëherë kur Sabit Geci është i vdekur”, është theksuar ndër të tjera në reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka pritur të…