Limaj: Gjykata e Apelit vulosi pafajësinë time dhe të bashkëpunëtorëve të mi në rastin e MTPT-së

02 korrik 2019 | 16:15

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se Gjykata e Apelit ka vulosur edhe njëherë pafajësinë tij dhe të bashkëpunëtorëve në rastin e MTPT-së.

Limaj në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se vendimi i Gjykatës së Apelit është goditje për segmente të caktuara brenda sistemit të drejtësisë.

Postimi i plotë i Limajt:

Gjykata e Apelit sot vulosi edhe njëherë pafajësinë time dhe të bashkëpunëtorëve të mi në rastin MTPT-së.

Sot është fundi i një persekutimi të pashembullt, i një rasti të orkestruar nga individë të cilët, në pamundësi për t’u ballafaquar me argumente e fakte, fabrikuan prova për të më përlyer mua dhe familjen time.

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit është fitore e drejtësisë dhe shpresë për të gjithë njerëzit që nuk duhet të dorëzohen në kërkim të drejtësisë. Vendimi i Apelit është goditje për segmente të caktuara brenda sistemit të drejtësisë, të cilat kanë qenë të thirrura për të vënë drejtësi, por i shërbyen grupeve të ndryshme të interesit për t’i goditur njerëzit që me tërë qenien kanë qenë në të drejtën e Zotit dhe ligjit dhe në shërbim të vendit.

Që nga vitit 2003 jam përballur me procese gjyqësore, por asnjëherë nuk jam dorëzuar, i bindur që në çdo periudhë i kam shërbyer me devotshmëri vendit.

Kam besuar në Zot dhe drejtësi dhe kam punuar fort që para qytetarëve të dëshmoj se i kemi shërbyer vendit me pastërti e dashuri dhe, siç e vërtetoi edhe vendimi i Gjykatës, në respekt të ligjit.

Drejtësia e pavarur e pandikuar, siguria juridike, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të jenë angazhimi dhe përkushtimi im kryesor. Falënderoj çdo qytetar të këtij vendi që besuan në fjalën time, më mbështetën dhe qëndruan afër në kohërat më të vështira për mua dhe familjen time.

Zoti na ndihmoftë në angazhimet në punë të mira për vendin tonë.

Bashkë për fitore të reja!

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet izraelite kanë ndaluar 294 herë thirrjen e ezanit në…