Haradinaj: Mburrem me Policinë e Kosovës

03 korrik 2019 | 12:26

“Mburrem me Policinë e Kosovës, me profesionalizmin e tyre, me sukseset e arritura dhe do të jem përkrahës i saj”, kështu ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e përvjetorit të 13-të, të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Haradinaj, në fjalën e tij para të pranishmëve të shumtë të institucioneve vendore të rendit dhe sigurisë, por edhe nga Republika e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ka theksuar se Inspektorati Policor është një institucion që i bënë krenarë të gjithë me suksesin e tij.

Ai ka thënë se sot është një ditë, kur prezenca e tyre çon porosi të rëndësishme, duke potencuar se për punën që bëjnë gjithmonë i sheh dikush dhe se sa më fuqishëm që i sheh, do të jenë më të kujdesshëm, më të saktë dhe më profesionistë, duke shtuar se ecja përpara në rend dhe ligj në Kosovë, me gjithë sfidat dhe rreziqet, bëhet kur secili në mandatin e tij, punon suksesshëm dhe në këtë mënyrë Kosova do të jetë partner i dobishëm i rajonit.

Haradinaj më tutje ka shtuar se Qeveria që udhëheq ka ndërmarrë veprime direkte për fuqizimin e institucioneve të rendit dhe ligjit.

“Ne, me guxim kemi vepruar për dyfishimin e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ky vendim është një dëshmi se populli i Kosovës e kupton rëndësinë e gjyqësorit”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj, duke shtuar se janë të gatshëm që të rrisin numrin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, në vend.

Kryeministri Haradinaj bashkë me kryeshefen e IPK-së, i kanë nderuar me medalje “Miqësi e dëshmuar” udhëheqësen e ICITAP-it, Kimberly Riffe, ambasadorin Jaan Brathu, prokurorin Sylë Hoxha për kontributin e dalluar dhe punëtorin e IPK-së Bardhyl Haxhimustafën, për rolin e tij në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi, ka thënë se ka ngritje intensive të goditjes së krimit me gjithë sulmet që janë bërë nga grupe të interesit dhe se janë të mbështetur nga partnerët, roli i të cilëve ka qenë evident. “Kjo dëshmon përkushtimin tonë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjithmonë në drejtim të ngritjes së integritetit policor”, është shprehur kryeshefja Kelmendi, duke theksuar se ka një përkushtim në përmbushje të agjendës për sundim të rendit dhe ligjit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kongresisti amerikan, Eliot Engel po qëndron për vizitë në Serbi.…