Pacolli: Kosova mirëpret udhëheqjen e re të Bashkimit Evropian

03 korrik 2019 | 17:27

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kosova mirëpret udhëheqjen e re të Bashkimit Evropian.

Pacolli duke iu referuar emërimit të mundshëm të spanjollit Josep Borrell në krye të diplomacisë evropiane, në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se origjina kombëtare nuk mund të luaj rol në politikën e jashtme të BE-së.

Postimi i plotë i Pacollit:

Kosova mirëpret udhëheqjen e re të Bashkimit Evropian. Ne besojmë se nuk varet nga origjina kombëtare roli që dikush do të luajë në Bashkimin Evropian dhe politika e jashtme e Bashkimit Evropian varet nga shtetet anëtare nga të cilat shumica e kanë njohur Kosovën.

Presim që ne do të vazhdojmë të forcojmë marrëdhëniet me BE edhe pse BE po kalon momente të vështira, çelësi i marrëdhënieve tona mbetet liberalizimi i vizave ku presim që BE të marre vendimin, të vazhdojë dialogu me Serbinë dhe procesi i zgjerimin të mos ndalet.

Ne presim që Bashkimi Evropian të marrë një vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën. Çdo vonesë e mëtejshme nuk ka arsye. Sikurse ka konfirmuar Komisioni Evropian dhe Parlamenti, Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe nuk duhet të ketë arsye politike që pengojnë këtë proces teknik.

Ne jemi duke punuar me të gjitha shtetet anëtare për t’u shpjeguar atyre nevojën për dhënien e udhëtimit të lirë në Kosovë. Çdo vonesë do të dëmtojë kredibilitetin e BE-së në Kosovë dhe rajon dhe do të tregojë se reformat zbatuese dhe standardet e kërkuara nga BE nuk paguhen. Kjo është e dëmshme për të ardhmen evropiane dhe forcën e BE-së.

Kosova është një vend që synon të ketë marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, përfshirë Spanjën. Ne i kemi kërkuar qeverisë spanjolle të njohë Kosovën dhe të mbështesë rrugën e Kosovës drejt konsolidimit ndërkombëtar dhe integrimit evropian.

Fatkeqësisht, për shkak të arsyeve që nuk kanë të bëjnë me Kosovën, pozicioni spanjoll ka qenë një vijë e ashpër ndaj Kosovës. Ne presim dhe po punojmë me të gjithë aktorët dhe vendet për të forcuar marrëdhëniet e Kosovës me ta.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj,…