KDI-ja: Pas aktgjykimit të Kushtetueses, dialogu të udhëhiqet nga kryeministri

04 korrik 2019 | 11:14

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot një konferencë për media, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për detyrat, përgjegjësit dhe kompetencat e delegacionit shtetëror për procesin e dialogut ku shpalosi rekomandimet rreth së ardhmes së këtij procesi.

Me këtë rast, Jeta Krasniqi nga KDI, ka theksuar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e Ligjit për delegacionin dhtetëror shënon një pikë kthese në procesin e dialogut, duke hequr të gjitha dilemat lidhur me rolin dhe përgjegjësitë e institucioneve kushtetuese në fushën e politikës së jashtme.

“Pas kontestimit të Ligjit në Gjykatën Kushtetuese nga dy partitë opozitare, LDK dhe LVV, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese qartazi përcaktoi që kompetencat e institucioneve kushtetuese nuk mund t’i barten ‘mekanizmave të posaçëm’ të cilat nuk janë të parapara me Kushtetutë. Aktgjykimi konstatoi që ligji si i tillë cenon parimin e ndarjes së pushtetit, vlerat demokratike të qeverisjes, ushtrimin e kompetencave të Kuvendit, të Qeverisë dhe kryeministrit në sferën e politikës së jashtme”, ka thënë ajo.

Sipas Krasniqit, para votimit të ligjit në Kuvend, KDI-ja ka ndarë me deputetët e Kuvendit një analizë të këtij ligji ku kishte ngritur çështjet lidhur me ndarjen e pushteteve, hierarkisë institucionale si dhe mangësi të tjera të cilat shoqëronin këtë ligj.

“KDI-ja ka kërkuar në vazhdimësi që spektri politik të arrijë konsensus lidhur me çështjen e dialogut, duke mirëpritur nismat e ndërmarra në këtë drejtim të cilat kthenin diskutimin në Kuvendin e Kosovës. Ky unitet i spektrit politik nuk arriti të formalizohej as pas përpjekjeve nëpërmjet krijimit të Delegacionit Shtetëror në dhjetor të vitit të kaluar”, ka thënë Krasniqi.

Rreth gjashtë muaj pas themelimit të delegacionit shtetërore, Krasniqi ka theksuar se mund të konkludohet që funksionimi dhe roli i tij ka qenë në suaza margjinale, si në arritjen e konsensusit të brendshëm, ashtu edhe në përfaqësimin e Kosovës në planin e jashtëm.

Roli i delegacionit ka qenë i kufizuar vetëm në mbajtjen e takimeve koordinuese me krerët institucional të vendit, apo takimeve informuese me zyrtarë të ndryshëm të faktorit ndërkombëtar, si dhe përfaqësuesit diplomatik të akredituar në Kosovë. E tërë periudha e funksionimit të Delegacionit Shtetëror ka qenë e shoqëruar me mungesë të theksuar të transparencës dhe llogaridhënies karshi Kuvendit, shoqërisë civile dhe qytetarëve në përgjithësi. Praktika e jotransparencës është vërejtur edhe sa i përket shpenzimeve dhe punësimeve në Delegacion, përkatësisht në administratën e tij, për të cilat Qeveria kishte ndarë mjete në vlerë prej 300,000 eurosh”, është shprehur ajo.

Në këtë link mund ta lexoni komunikatën e plotë të KDI-së: http://kdi-kosova.org/aktivitetet/pas-aktgjykimit-te-kushtetueses-dialogu-te-udhehiqet-nga-kryeministri-dhe-te-mbikeqyret-nga-kuvendi/?fbclid=IwAR2kq3eJ2jVhuA1YVzddn00FURdf3qW54mfS2OuRQzbffmnF4JZBYWf11jY.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se me pikëllim…