AAK-ja fton organet e drejtësisë të merren me keqpërdorimet e Komunës së Pejës

08 korrik 2019 | 16:01

Kryetari i Degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Pejë, Ali Berisha, të hënën në një konferencë për medie, ka shprehur shqetësimet e kësaj partie rreth keqpërdorimeve në Komunën e Pejës, e cila drejtohet nga Gazmend Muhaxheri nga radhët e LDK-së.

Duke numëruar konstatimet në Raportin e Zyrës së Kombëtare të Auditimit (ZKA), Berisha ka kërkuar nga prokuroria dhe policia që të merren urgjentisht me keqpërdorimet në Komunën e Pejës.

“Ndër 16 të gjeturat e auditorit ka edhe shumë vërejtje të tjera të kësaj natyre, por edhe të tjera si: pasojat e pagesave përmes vendimeve gjyqësore-përmbarimore, parregullsi në menaxhimin e tatimit në pronë, raportimi i pjesshëm dhe vonesa në pagesën e faturave të papaguara e shumë vërejtje të tjera por për të përmbyllur përshkrimin e këtij raporti do të përdorim konkluzionin e vetë auditorit. Konkluzioni i përgjithshëm mbi qeverisjen është se ekziston një numër i dobësive të qeverisjes brenda Komunës së Pejës veçanërisht në lidhje me llogaridhënien, menaxhimin e rrezikut dhe cilësinë e raportimit menaxherial”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, vetëm sjellja para ligjit e pushtetarëve mund të ndalë fenomenet tashmë të dëshmuara të atyre që dëmtojnë paranë e qytetarëve të Komunës së Pejës.

Më tutje, ai ka tërhequr vërejtjen edhe në disa pika me rëndësi të vëna në pah nga ZKA-ja.

“Montimi i kalldasë për ngrohje në kuadër të mirëmbajtjes së shkollave në vlerë prej 900 euro ishte faturuar dhe paguar dy herë. Tre pozicione në projektin për ndërtimin e shkollës së muzikës ‘Halit Kasapolli’ ishin më të larta se çmimet e kontraktuara, si rezultat janë paguar rreth 1 065 euro më shumë se që është dashur. Të projekti ‘Ndërtimi i shkollës së mesme të artit ‘Odhise Paskali’, auditori ka verifikuar në vend të ngjarjes se furnizimi me shkallët metalike të kombinuara me dru nuk janë punuar, por janë paguar pa u punuar. Raporti ka konstatuar se në tri kontrata ka pasur ndryshime të sasive brenda kontratës pa aprovim si parashihet me ligj. Raporti gjithashtu ka potencuar se 22 projekte të asfaltimin janë zbatuar pa projekt ekzekutimi. Ky fenomen po sjellë deri të zbatimi i çuditshëm i traseve të rrugëve dhe te cilësia e dobët e punimeve”, është shprehur Berisha. /Ksp/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë përfunduar në Tetovë xhirimet e filmit “Dasma e Anës”…