FOL-i me platformë online për krahasimin e pasurisë për 500 zyrtarë publikë

25 korrik 2019 | 12:31

Lëvizja FOL ka lansuar të  enjten platformën e përditësuar për krahasimin e pasurisë për zyrtarë publikë për vitet 2010-2019.

Platforma për krahasimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë përfshin rreth 500 zyrtarë të lartë publikë, ku për secilin në mënyrë individuale qytetarët e Kosovës mund t’i krahasojnë rritjen e pasurisë së tyre ndër vite, pra gjatë periudhës që kanë pasur një post publik.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoresh ekzekutive e Lëvizjes FOL, ka thënë se kjo platformë do t’i mundësojë gazetarëve, qytetarëve dhe hulumtuesve të bëjnë krahasimin e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë në mënyrë automatike, nga viti 2010 deri në vitin 2019. “Përmes filtrave të ndryshëm kjo platformë ofron mundësinë e krahasimit të pasurisë për secilin zyrtar apo edhe krahasimin e pasurisë në mes të tri legjislaturave të Kuvendit të Kosovës, krahasimin e pasurisë së zyrtarëve të qeverisë nga Qeveria Thaçi 2, Qeveria  Mustafa dhe Qeveria Haradinaj”, ka thënë Demolli-Nimani.

Kjo platformë u mundëson që të shihni se cilët janë dhjetë zyrtarët me rritjen më të madhe të pasurisë në tri vitet e fundit.

Përveç kësaj, platforma u shërben hulumtuesve për identifikimin e zyrtarëve të cilët kanë më shumë se një burim të të ardhurave. “Këtu vlen të theksohet se një numër i madh i zyrtarëve publikë deklarojnë se kanë aksione në kompani të ndryshme, mirëpo nuk i deklarojnë të hyrat që i marrin nga to. Njësoj vlen të theksohet edhe për shumë zyrtarë të tjerë që deklarojnë se kanë funksione në parti politike por nuk deklarojnë të ardhura nga pozitat që i kanë në parti”, ka deklaruar Demolli-Nimani.

Në këtë platformë të gjithë zyrtarët janë ndarë në katër kategori: Krerët e shtetit ku hyjnë: presidentët, kryetarët e Kuvendit, kryeministrat dhe zëvendëskryeministrat që kanë qenë nga viti 2010 deri në vitin 2019.

Në kategorinë deputet hyjnë të gjithë deputetët e tri legjislaturave të fundit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në kategorinë ministra hyjnë të gjithë ministrat dhe zëvendësministrat e tri qeverive të fundit në Kosovë.

Dhe kategoria e fundit është kryetarët e komunave ku hyjnë të gjithë kryetarët e komunave që kanë qenë në këtë pozitë gjatë viteve 2010-2019.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rrjeti social “Facebook” ka rënë dakord të paguajë 5 miliardë…