Partitë, të hapura për koalicione

29 korrik 2019 | 10:39

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë me dije se këtë javë do t’i fillojë konsultimet me partitë politike për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ndërsa partitë politike kanë filluar përgatitjen për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke i mobilizuar strukturat e tyre partiake.

Në takimet me degët e partive, liderët partiakë dhe zyrtarët e lartë të tyre nuk kanë përjashtuar mundësitë e koalicioneve parazgjedhore, megjithëse disa parapëlqejnë të shkojnë të vetëm në zgjedhje.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) si çdoherë nuk ka vija të kuqe me asnjë parti politike.

Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Xhavit Haliti, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se koalicionet parazgjedhore do të varen nga konfiguracionet politike. “Do të varet shumë nga konfiguracioni politik i këtyre partive politike. Ne kemi një joshje do të thosha në mes të partive të majta dhe të djathta, sepse të gjithë përcaktohemi në një farë mënyrë se çfarë orientimi politik kanë partitë, por kur është fjala për zgjedhje, harrojnë se a janë të majtë apo të djathtë”, ka thënë Haliti.

As Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk ka vija të kuqe, ndonëse parapëlqen koalicion me partitë më të vogla.

Lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk do ta dëshironte një koalicion parazgjedhor me PDK-në, LDK-në dhe LV-në. “Si AAK jemi të hapur të shkojmë në partneritet parazgjedhor me Nismën dhe PSD-në. Jemi kundër koalicionit parazgjedhor me PDK-në, LV-në dhe LDK-në. Nuk po i përjashtoj ata në punë të veta, ne në punët tonat”, ka deklaruar Haradinaj.

Edhe Nisma Socialdemokrate është e hapur për koalicione parazgjedhore, ani pse sekretari për marrëdhënie me publikun i Nismës, Endrit Shala, ka thënë për gazetën se parapëlqen që të shkojnë në zgjedhje pa ndonjë koalicion.

“Personalisht mendoj se Nisma Socialdemokrate kësaj here duhet të shkojë e vetme në këto zgjedhje, mirëpo për këtë çështje ende nuk kemi ndonjë vendim të organeve partiake. Kjo mbetet të shihet në ditët e ardhshme.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtuesit e sindikatës së punëtorëve në Telekom, kanë paralajmëruar që…