Irani planifikon largimin e katër zerove nga valuta

31 korrik 2019 | 15:28

Qeveria iraniane ka miratuar një plan për të larguar katër zero nga valuta kombëtare, rial, teksa shteti tenton të përballet me inflacion të lartë.

Kjo masë është bërë e ditur nga zëdhënësi qeveritar, Ali Rabiei, pas mbledhjes së kabinetit më 31 korrik.

Këtij plani i duhet mbështetje prej parlamentit dhe Këshillit të Guardianëve.

Rivlerësimi i valutës iraniane është diskutuar për një kohë të gjatë, meqë vlera e saj ka rënë sidomos pasi Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

Përveç kësaj, Uashingtoni ka rikthyer të gjitha sanksionet ndaj Iranit duke i goditur rëndë ekonominë dhe sektorin e naftës.

Vlera e valutës iraniane ka rënë nga 32,000 sa ka qenë për 1 dollarë në kohën e marrëveshjes bërthamore, në 120,000 rial për 1 dollarë.

Në muajin prill, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka thënë se pret që ekonomia e Iranit të bie për 6 për qind këtë vit dhe se inflacioni mund të arrijë 40 për qind teksa ky shtet përballet me sanksione amerikane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Zenit St Petersburg është shumë afër marrëveshjes me…