Vihet gurthemeli i kullës së Rexhep Malës në Hogosht

01 gusht 2019 | 16:33

Në Hogosht të Kamenicës është vënë gurthemeli i kullës së Rexhep Malës.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili tha se Rexhep Mala ka kontribuuar për atdheun dhe kjo është mënyra më e mirë për të nderuar atë.

“Për mua është ditë e veçantë që bashkë me familjarët e veprimtarët po e vëmë gurthemelin e shtëpisë muze. Kjo ka qenë përpjekje e vazhdueshme e MKRS-së dhe tani po bëhet”, ka thënë Gashi.

Ai gjithashtu premtoi që do të ndërtohet edhe një shtëpi muze për Nuhi Berishën, i cili ishte bashkëkohës i Malës.

“Jam i lumtur që pas këtij monumenti do t’i vijë radha e shtëpisë muze të Nuhi Berishës që të ndërtojmë monumente të tilla për patriotët e viteve të ‘80-ta”, ka thënë ministri Gashi.

Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka pohuar se monumentet e tilla ndihmojnë që gjeneratat e reja të mësojnë më shumë për të historikun e lirisë së Kosovës.

“Sot bashkë bëmë përurimin e kullës së Rexhep Malës dhe shpresoj të rregullohet sa më shpejt që të mbahet gjallë edhe te gjeneratat e reja që të mos ta harrojnë asnjëherë sakrificën”, ka thënë ai.

Deputeti i AAK-së Ahmet Isufi, ka thënë se Rexhep Mala ishte nismëtar i luftës për liri dhe se për të ndihet krenar tërë Kosova është krenarë me të.

“Sot është ditë e veçantë sepse vihet gurthemeli i një monumenti historik të Rexhep Malës që ra bashkë me Nuhi Berishën. Tani po bëhet një monument që do jetë për vizitorët që të kujtohet historia. Këta persona ishin paralajmëruesit e luftës për liri, familja është e nderuar dhe krenare që dha birin e tyre dhe ne e tërë Kosova ndihemi krenarë për ta”, është shprehur Isufi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj është takuar me ambasadorin Ruairi O’Connell dhe…