Tahiri: Do të kujdesemi që Lugina e Preshevës mos të mbetet luginë e dëshpërimit dhe as e shpopullimit

05 gusht 2019 | 10:39

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka pritur në takim kryetarin Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa. 

Tahiri ka thënë se Republika e Kosovës dhe institucionet e saj duhet ta kenë një agjendë të mirëfilltë dhe sistematike që adreson çështjet e popullit shqiptar në Luginën e Preshevës, në mënyrë që komuniteti shqiptar që jeton në atë pjesë, të rigjenerohet edhe në planin socio-ekonomik edhe në atë socio-politik e kulturor. 

“Për shkak të përbërjes etnike, Lugina e Preshevës vazhdon të mbetet një ndër rajonet më të diskriminuara në Evropën Juglindore, si pasojë e politikës dezintegruese të Serbisë dhe kjo nuk mund të tolerohet brenda një vendi që aspiron Bashkimin Evropian. Në takim të përzemërt me Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, ndamë bashkërisht perspektivën për hapat e mëtejmë që duhet t’iu paraprijmë, për të arritur kështu rezultate konkrete dhe një lidhje shumë më të fuqishme në mes institucioneve tona dhe qytetarëve që jetojnë në atë pjesë. Lugina e Preshevës nuk mund të mbetet luginë e dëshpërimit dhe as e shpopullimit. Ajo ka nevojë për mbështetjen tonë dhe sensibilizimin tonë në rrafshin ndërkombëtar për kufizimet e një pas njëshme që pushteti serb i vendosë ndaj kësaj zone”, ka thënë ministri Tahiri.

Ai ka shtuar se Lugina ka nevojë për investime dhe për edukim. “Ne e kemi obligim që ndaj kësaj pjese të banuar me shqiptarë, të stimulojmë zhvillimin ekonomik e social dhe kultivimin akoma më të fuqishëm të lidhjeve tona kulturore. Republika e Kosovës aspiron relacione të shëndosha me vendet fqinje, dhe trajtimi i popullsisë shqiptare brenda këtyre vendeve, është kapitulli më thelbësor që do përcaktojë këto relacione”, ka deklaruar ministri Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, do të…