Partitë mbajnë sekret planet për koalicione

07 gusht 2019 | 11:22

Partitë politike në Kosovë kanë filluar t’i bëjnë kalkulimet për koalicione në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të caktohen pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës më 22 gusht. Por, asnjëra prej tyre nuk ka treguar se me kënd do të bëjë koalicion dhe nëse do të ketë bashkim të tyre para se të mbahen zgjedhjet.

Analistë të çështjeve politike japin mendime të ndryshme rreth krijimit të koalicioneve parazgjedhore si formë e përgatitjes për ta marrë pushtetin. Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, duke folur për “Radion Evropa e Lirë”, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të shpallen mund të ketë koalicione parazgjedhore, por jo të partive të mëdha politike.

“Pres që Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosja të shkojnë vetëm në zgjedhje, ndërkohë që nuk e përjashtoj mundësinë e një koalicioni ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Partisë Socialdemokrate dhe Aleancës Kosovare e Re, ndërkaq Nisma Socialdemokrate nuk jam i sigurt se mund t’u bashkohet këtyre të fundit, por nuk përjashtohet mundësia t’i bashkohet edhe PDK-së”, ka theksuar Mushkolaj.
Në koalicionet e mundshme ndërmjet partive politike, thotë Mushkolaj, hyn në kombinim edhe presioni ndërkombëtar për të krijuar një koalicion i cili mund të shtyjë përpara procese të cilat nuk janë arritur të bëhen deri më tani. Ai ka shtuar se zgjedhjet në Kosovë prodhojnë edhe koalicione të papritura në kuptimin, siç thotë ai, shpeshherë deri më tani ka ndodhur që në koalicion të hyjnë partitë të cilat paraprakisht qytetarët nuk e kanë pasur idenë se mund të bëhen bashkë.

Ndërkaq sa iu përket koalicioneve paszgjedhore, Mushkolaj thotë se është vështirë të parashikohet se kush me kënd mund të bëjë koalicion pasi që, sipas tij, ajo varet nga rezultati i zgjedhjeve.

“Sidomos në dy mandatet qeverisëse vendi ka mbetur peng i këtyre koalicioneve që do të duhej të kryenin punë të mëdha, por që realisht janë ndalur në gjysmë dhe nuk kanë kryer këto punë të mëdha që është dashur të kryhen. Janë disa tema në tavolinë që partitë politike duhet t’i prekin dhe është sfidë për të gjithë që do ta marrin qeverisjen që t’i çojnë përpara në radhë të parë në aspektin politik, dialogu me Serbinë i cili duhet të përmbyllet në një afat optimal”, ka thënë Mushkolaj.

Një koalicion të mundshëm të partive të mëdha politike në zgjedhjet parlamentare që mund të mbahen këtë vit në Kosovë e parasheh analisti i çështjeve politike Taulant Kryeziu. “Ende mbetet për t’u qartësuar, por nga ajo çka kam parë unë dhe nëse merren për bazë qëndrimet që kanë pasur në procesin e dialogut, ka një afërsi në këtë pikë në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes. Për partitë e tjera ne kemi parë Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës e cila me disa qëndrime dhe deklarime thotë se do të jetë e vetme në zgjedhje, por deri në momentin e fundit asnjërës nga partitë politike të cilat kanë qenë në pushtet nuk i dihet se si do të vendosin, a do të hyjnë të vetme apo do të tentojnë të ndërtojnë koalicione”, ka deklaruar Kryeziu.

Deri më tani një pretendim për koalicion ka shfaqur Lëvizja Vetëvendosje e cila e ka ftuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për bashkim.

Por, në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se partia që ai udhëheq dëshiron të shkojë e vetme në zgjedhje e që, sipas tij, ky qëndrim mund të ndryshojë dhe varet se si veprojnë partitë e tjera. Disa prej anëtarëve të PDK-së janë deklaruar se kjo parti do të garojë e vetme në zgjedhje, ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se ndiejnë një afërsi me partinë Nisma, PSD, AKR dhe ndonjë parti tjetër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duket sikur diçka e bukur ka nisur në mes të…