Shala: Ende po tentojmë një marrëveshje me VV-në, kryeministrin s’e diskutojmë

28 gusht 2019 | 23:26

Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tha se veprimi i menjëhershëm për tarifën ndaj Serbisë është kompleks.

“Por duhet të mendohet përgjatë linjave të reciprocitetit. Nëse Serbia nuk i njeh targat e Kosovës, as kjo e fundit nuk duhet t’i njohë targat e Serbisë”, ka thënë Shala.

Ai tha se kryeministri duhet të bëjë punën e vet, e jo të merret me çështje të prokurorëve apo universiteteve. Shala tha se Kosova duhet ta rikthejë besimin dhe partnerët ndërkombëtarë.

Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tha se nga 33 marrëveshje me Serbinë, shumica nuk implementohen fare nga Beogradi. Shala tha se për garë nuk kemi frikë.

“Në garë mund të shkojmë vetëm. Çështja është si do të bashkëpunojmë në të ardhmen me partnerin tonë të opozitës. Nuk kam dilemë. Ne do të jemi fituesi por nuk do ta kemi shumicën absolute. Prapë do të duhet të bashkëpunojmë. Koalicioni parazgjedhor do t’i zgjidhte këto dilema”, tha Shala në televizionin publik.

Ai ka deklaruar se nëse shihni Kushtetutën e Kosovës do ta shihni se qytetarët duhet ta zgjedhin kryeministrin e tyre, i cili pastaj do ta ketë ekipin ekzekutiv dhe programin e punës.

“Ne e kemi kandidaten dhe për këtë çështje nuk do të diskutojmë. Pra me Vetëvendosjen do të diskutojmë për çështje tjera si dialogu, nuk do të bisedojmë me VV për kufijtë sepse edhe VV është deklaruar për kufijtë ekzistues të Kosovës, qëndrim pra i njëjtë me tonin në LDK”, tha Shala.

Sipas tij edhe qytetarët e dinë se Kosova është e izoluar për shkak të sjelljes së deritashme të institucioneve.

Shala ka deklaruar se me VV si parti opozitare kanë bashkëpunuar mirë dhe kane qenë opozitë e strukturuar mirë dhe ka krijuar një raport të mirëbesimit.

“Ne ende po tentojmë një marrëveshje bashkëpunimi për zgjedhjet, nuk është proces ende i mbyllur”, tha Shala.

“Në dy vitet e fundit LDK dhe VV kanë bashkëpunuar mirë si parti opozitare. Ishim një opozitë e strukturuar mirë. Gjatë punës kemi arritur një nivel relativisht të mirë të bashkëpunimit. Ne po komunikojmë për të vazhduar edhe në të ardhmen këtë bashkëpunim. Vjosa është kandidate e jona për kryeministre. Dhe do të jetë kryeministre e ardhshme, si kandidate e partisë më të madhe dhe partisë që do të dalë fituese nga këto zgjedhje”, tha ai.

Ai bëri me dije se nuk ka pasur ambicie qoftë për të qenë në krye të LDK-së, ose për të qenë edhe kandidat për kryeministër.

“Nuk e mendoj veten si politikan të karrierës e aq më pak të kandidatit për kryeministër”, tha Shala.

“Ka pasur takime por vendim për koalicionin mes LDK dhe VV nuk ka ende. Ne do të donim të garojmë si parti e vetme. Kryeministri duhet të jetë nga radhët tina”, tha Shala.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Astrit Fazliu për “Epokën e re” e ka pranuar se…